Gazetar: Mihajllo Donev
Krim financiar me përmasa epike – mbi 37 milionë euro kanë fituar kompanitë e lidhura me biznesmenin e Strumicës Risto Kërmzov nga rikthimi i TVSH-së përmes faturave fiktive, ndërsa dëmi i shkaktuar mbi arkën e shtetit është rreth 95 milionë euro, zbuloi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në këtë hetim janë përfshirë 23 persona fizikë dhe 15 persona juridikë, ndërsa të gjitha kompanitë kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën dhe përmes një skeme të mirë-organizuar i kanë anashkaluar ligjet.
“Abuzimet janë kryer në mënyrën që një kompani i shet hapësirë afariste një kompanie tjetër, kompania tjetër kërkon rikthim të TVSH-së nga shteti, ndërsa e para nuk e paguan fare atë tatim sepse nuk është paguar transaksioni fillestar midis kompanive. Shumat që u kuotuan gjatë shitjes së ndërsjellë të hapësirave afariste kanë arritur deri në 20 mijë euro për metër katror”, thonë nga PTHP NKOK (Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit).
Për ta bërë të mundur të gjithë këtë, midis këtyre 23 personave, po zhvillohet hetim edhe kundër tetë inspektorëve të punësuar në DAP në Strumicë, të cilët mbyllën sytë ndaj përgatitjes së faturave të rreme gjatë një periudhe pesëvjeçare – nga viti 2019 deri në vitin 2024. Katër kontabilistë që përgatitën faturat janë gjithashtu nën hetim. Përveç shitjes së pasurive të paluajtshme, pra lokalet afariste, të cilat përbënin përqindjen më të madhe të përvetësimit, Kërmzov dhe bashkëpunëtorët e tij kishin skema të tjera përmes të cilave arritën të fitonin para në mënyrë të lehtë dhe ta dëmtonin buxhetin.
“Abuzime u kryen edhe përmes dërgesave të rreme – mallrat nga një kompani janë dhanë për ruajtje në kompanie tjetër që ishte fiktive dhe nuk ekzistonte, dhe më pas janë shitur pa paguar taksa, në mënyrë që taksa e shitjes të mund të kërkohej mbrapsht nga shteti”, thonë nga PTHP NKON (Prokuroria e Ndjekjes së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit).
Linja e tretë përmes së cilës këto kompani janë pasuruar, sipas Prokurorisë, është shkatërrimi i rremë i pajisjeve ndërtimore. Përveç biznesmenit Risto Kërmzov, të dyshuarit kryesorë në këtë rast janë nipërit e tij nga vëllai dhe motra, si dhe drejtorë dhe pronarë të tjerë të kompanive, të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin. Shumica e të përfshirëve në hetim akuzohen për krime të shumëfishta, duke përfshirë “bashkim kriminal”, “mashtrim tatimor” dhe pastrim parash, ndërsa tetë inspektorët e DAP-it akuzohen për veprën penale “punë e papërgjegjshme në shërbim”.
Kërmzov u privua nga liria dje dhe tashmë është në paraburgim 30-ditor në burgun në Shutkës, ndërsa hetimi paraprak për këtë rast filloi nëntë muaj më parë kur policia bastisi kompanitë e lidhura me këtë biznesmen nga Strumica. /Alsat.mk