Paralajmërimi i EUobserver: Serbia mund ta pushtojë Kosovën

Një nga mediat më të njohura në Evropë, “EUobserver”, i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe kërcënimeve që vijnë nga Serbia në lidhje me Ushtrinë e Kosovës.

Serbia, e mbështetur nga një fushatë e lajmeve të rreme, ka akuzuar Kosovën për planifikimin e ‘spastrimit etnik’ të serbëve kosovarë, duke nxitur kujtime të këqija për luftërat në Ballkan.

“Unë shpresoj se asnjëherë nuk do të duhet të përdorim ushtrinë tonë, por për momentin është një nga opsionet në tryezë, sepse nuk mund të shikojmë një spastrim të ri etnik (të serbëve) dhe stuhive të reja”, deklaroi dje para gazetarëve në Beograd kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, transmeton zeri.info

Operacioni “Stuhia” ishte emri i betejës së fundit në luftën e pavarësisë së Kroacisë nga Serbia në 1995, gjë që çoi në dëbimin me forcë të mbi 150,000 serbëve etnikë.

Brnabiq u prononcua për planin e Kosovës për të riemërtuar “Forcën e Sigurisë së Kosovës”, nga një trup e armatosur lehtë me 4.000 pjesëtarë, në “Ushtrinë e Kosovës” pas një votimi të paraparë në parlament më 14 dhjetor.

Ushtria “më 15 dhjetor do të lëvizë për të nënshtruar njerëzit vetëm për shkak se ata janë serbë”, shtoi ajo, duke iu referuar një enklavë serbe në veri të Kosovës, e cila mbetet de facto nën sundimin serb.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu derdhi karburant në zjarr, duke thënë: “Serbia nuk mund të shikojë paqësisht shkatërrimin e popullit serb”.

Lajmet e rreme

Deklaratat e tyre shoqëroheshin nga lajme të rreme në mediat serbe të kontrolluara nga shteti.

“CIA dërgon një anije të mbushur me armë” që do të “shpërndahet në jug të Mitrovicës”, një tabloid serb kështu shkruante të mërkurën, duke iu referuar një agjencie të spiunazhit amerikan dhe një rajoni të Kosovës ngjitur me enklavën serbe.

“Mashtrim i paprecedent … gënjeshtra të pabesueshme, të gjitha”, tha Petrit Selimi, ish-ministri i jashtëm i Kosovës.

“Ne nuk do të krijojmë ushtrinë për veriun, është një gënjeshtër e pastër. Ushtria jonë do të shërbejë në Afganistan dhe Irak (me NATO-n) për të ndihmuar paqen botërore”, tha gjithashtu kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Propaganda serbe i bëri jehonë asaj të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, ku mediat ruse në gjuhën serbe kanë nxjerrë vite me radhë teoritë e konspiracionit Kosovë-Amerikë në një përpjekje për të destabilizuar rajonin dhe për të frenuar zgjerimin e BE dhe NATO-s.

Ministria e jashtme ruse gjithashtu reagoi të mërkurën.

“Ne presim që forcat ndërkombëtare për Kosovën (KFOR-i) … në rast të shfaqjes së një strukture të tillë (Ushtria e Kosovës), menjëherë të ndërmarrin masa gjithëpërfshirëse për ta neutralizuar dhe çarmatosur atë”, tha Moska zyrtare.

KFOR është një forcë paqeruajtëse e NATO-s me 4000 ushtarë, e vendosur në Kosovë në vitin 1999, pas përfundimit të luftës Serbi-Kosovë, një nga më të përgjakshmet në rajon.

Një pjesë e mandatit të tij është të “pengojë armiqësinë dhe kërcënimet e përtëritura ndaj Kosovës nga forcat serbe”, që do të thotë se nëse Brnabiqi e realizon kërcënimin e saj, atëherë forcat serbe mund të përleshen me ato të NATO-s.

Tensionim i situatës

Një situatë e tensionuar vjen në mes të bisedimeve Kosovë-Serbi për të normalizuar marrëdhëniet dhe për t’u bashkuar me BE-në.

Ambasadorët e BE-së ranë dakord të hapin dy “kapituj” të rinj në bisedimet e pranimit të Serbisë gjithashtu të mërkurën(dje).

Por negociatat për normalizimin e lidhjeve janë në rrezik për një propozim për të shkëmbyer enklavën kryesore etnike serbe në Kosovë për atë shqiptare në Serbi.

Ideja, e mbështetur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, por i kundërshtuar nga Haradinaj, ka shkaktuar trazirë në politikën e Kosovës, përcjell zeri.info

Ajo gjithashtu ka nxitur një ndarje tek mbrojtësit perëndimorë të rajonit – SHBA dhe institucionet e BE kanë mbështetur idenë, por Gjermania ka paralajmëruar se ndryshimi i kufijve në linjat etnike mund të destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

Alarmi i NATO-s

Nga ana e tij, kreu i NATO-s Jens Stoltenberg i kërkoi Beogradit dhe Prishtinës të mërkurën “të përmbahen nga hapat dhe deklaratat provokative”.

Megjithatë, ai gjithashtu kritikoi Kosovën.

“Një hap i tillë [ushtria e Kosovës] po vjen në një kohë të gabuar”, tha ai në Bruksel.

“Ajo që ata kanë njoftuar tani po ndodh pa u konsultuar me aleatët e NATO-s dhe vendet e tjera, si dhe pa një proces gjithëpërfshirës në vetë Kosovën”, tha ai.

KFOR do të “duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të tij në Kosovë” nëse Prishtina ka ecur përpara, shtoi ai.

Çështja e ushtrisë vjen pasi Haradinaj vendosi 100 për qind tarifat mbi importet e mallrave serbe, që i kushton Serbisë 42 milion euro në muaj në humbje, sipas llogaritjes së Beogradit.

Ai e bëri atë kur Serbia e bllokoi ofertën e Kosovës për t’u bashkuar me agjencinë ndërkombëtare të policisë, Interpol, muajin e kaluar.

BE dhe NATO i kanë kërkuar atij të tërhiqet ndërsa Stoltenberg tha të mërkurën se ajo e bëri dialogun “edhe më të vështirë”.

Por Shqipëria shprehu solidaritet me fqinjin e shumicës etnike shqiptare në të njëjtën ditë.

“Në këto kushte anormale taksa duhet parë si një thirrje e një reagimi politik dhe jo të një lufte tregtare”,i tha kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë një vizite në Kroaci.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme