Vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të lagështa të ajrit me presion të ulët atmosferik.
Në këto kushte meteorologjike do të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit mesatar, kurse në viset malore reshjet e shiut do të jenë të përziera me fjolla bore.
Reshjet e shiut do të vazhdojnë sonte dhe nesër në shumë vende. Më tej parashihet të ketë kthjellime të pjesshme.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes.
Sasitë mesatare të reshjeve të regjistruara deri më tani në rrjetin meteorologjik të Kosovës janë rreth 60mm (l/m2) në rrafsh të Kosovës, ndërsa në rrafshin e Dukagjinit sasitë rekorde janë regjistruar në Junik me 90 mm(l/m2).
Në javën tjetër pritet që mëngjeset të jenë me ngrica të cilat do të paraqesin vështirësi në komunikacion.