Parkim me 1.400 vende në QSUT, territori i spitalit do të kthehet në park

Një parkim i madh me 1,400 vende pritet të përfundojë në hyrje të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke krijuar mundësinë që automjetet të largohen nga territori i brendshëm i spitalit dhe hapësira të transformohet në një park.

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në spitalin e ri të Kardiokirurgjisë në QSUT, tha se rreth 900 vende të parkimit do të përdoren për automjetet e personelit, ndërsa 500 vendet e tjera mund të shërbejnë si burim të ardhurash dytësore për spitalin.

“Me përfundimin e parkimit të madh me 1,400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit”, deklaroi Rama.

Sipas tij, pas largimit të automjeteve, synimi është që territori i QSUT-së të shndërrohet në një park, projekt që parashikohet të realizohet brenda dy viteve.

Kryeministri foli gjithashtu për një plan më të gjerë zhvillimi të QSUT-së, që përfshin rritjen e financimit, autonominë financiare, një partneritet me një strukturë të njohur ndërkombëtare dhe mundësinë e ngritjes së një strukture private brenda kompleksit spitalor.

Rama tha se me buxhetin e vitit 2027 synohet të adresohen nevojat e mbetura të QSUT-së, pa kufizime financiare për kompletimin e investimeve të nevojshme.

Një tjetër element është partneriteti që po negociohet me një strukturë të njohur spitalore. Sipas Kryeministrit, modeli synon jo vetëm shkëmbime apo vizita pune, por bashkëpunim në menaxhim dhe programe të përbashkëta për mjekët, ku profesionistët shqiptarë do të punojnë pranë strukturës partnere dhe mjekët e saj do të vijnë në QSUT.

Ky bashkëpunim pritet të lidhet edhe me modelin e autonomisë financiare të QSUT-së, që, sipas deklaratës së bërë gjatë vizitës, hyn në fuqi vitin e ardhshëm.

Pjesë e planit është edhe ndërtimi i një strukture private brenda territorit të spitalit. Rama tha se kjo do t’u krijonte mundësi mjekëve të punonin paralelisht në këtë strukturë, me synimin që të rriteshin në mënyrë të ndjeshme edhe të ardhurat e tyre.

Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të spitalit të ri të Kardiokirurgjisë në QSUT. Struktura e re ka 38 shtretër, nga 35 më parë, të shpërndarë në 15 dhoma. Është krijuar gjithashtu një dhomë e posaçme për procedurat sterile, ndërsa blloku operator përfshin pesë salla: dy për kirurgjinë vaskulare, dy për kirurgjinë kardiake dhe një sallë hibride.

Gjatë vizitës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, dhe Kryeministri vlerësuan edhe kontributin e profesionistëve që kanë shërbyer ndër vite në këto struktura, duke u dorëzuar certifikata mirënjohjeje disa prej profesorëve dhe mjekëve të Kardiokirurgjisë./EKOFIN

The post Parkim me 1.400 vende në QSUT, territori i spitalit do të kthehet në park appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme