Gazetar: Lluka Andreev
Gjashtë ditë para fillimit të heshtjes për zgjedhjet parlamentare, dy koalicionet nga blloku shqiptar ende nuk kanë arritur marrëveshje për të mbajtur tubimin final në sheshin e Tetovës.
Si Fronti Europian ashtu edhe koalicioni “Vlen” nuk kanë ndërmend të tërhiqen për momentin.
“Ka disa rregulla – kush del i pari, kush parashtron kërkesë i pari, kujt i jepet leja nga policia për të mbajtur tubim kaq të madh dhe mendoj se ne po prijmë në këto kërkesa, por duhet të presim. Nuk kemi ndërmend të largohemi nga qëllimi ynë, që të kemi mitingun final në Tetovë më 6 maj”, tha Arta Bilalli Zendeli – Fronti Evropian.
“Nuk është kështu, para dhjetë ditësh kemi marrë leje nga komuna e Tetovës, është raportuar në MPB, por përkundër kësaj do të analizojmë këto ditë dhe do të dalim me qëndrim përfundimtar, sepse është provokim i pastër”, u shpreh Izet Mexhiti – Koalicioni “Vlen”.
VMRO-DPMNE në tubimet e djeshme theksoi se është e nevojshme që sa më shumë qytetarë të dalin në zgjedhje dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve opozitarë që të votojnë për to, ndërsa LSDM-ja kërkoi mbështetje nga, siç thonë ata, qytetarët progresist për të vazhduar rrugën e integrimit evropian.
“Duhet pjesëmarrje e madhe në referendum dhe duhet votë e koncentruar për VMRO-DPMNE-në, sepse të gjithë ata që janë të pakënaqur me pushtetin aktual në largim, të LSDM-së dhe BDI-së, duhet ta dinë se vetëm vota për VMRO-DPMNE-në do të thotë ndryshim”, tha Aleksandar Nikollovski – Koalicioni “Maqedonia jote”.
“Ne kemi nevojë për progres dhe zhvillim. Ne nuk mund dhe nuk duhet të presim progres dhe zhvillim të tillë nga ata me të cilët qëndruam në dhomën e pritjes së Bashkimit Evropian dhe që ende nuk kanë plan dhe vizion se si dhe kur të na çojnë brenda tij”, thonë nga Monika Zajkova – Koalicioni për të ardhmen evropiane.
Në takimet me qytetarët, E Majta, por edhe nga koalicioni i udhëhequr nga Stevço Jakimovski, kanë theksuar se nuk do të lejojnë ndryshime të Kushtetutës në Kuvend.
“Po hyjmë në “fotofinishin e fushatës. Ne presim të paktën të dyfishojmë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, sepse kemi mbështetur kandidat të pavarur dhe ky ishte rezultat pak a shumë i pritshëm. Por tani po vijnë zgjedhjet tona kryesore, më 8 maj dhe më 9 maj do të festojmë nga tetë deri në dymbëdhjetë deputetë”, tha Dimitar Apasiev – E Majta.
“Ne si demokratë propozojmë si deputetë tuaj të ardhshëm në Kuvendin e Maqedonisë që të ndërtohen termocentrale që të kemi prodhim vendor, që të mund ta ulim çmimin”
Në zgjedhjet parlamentare të 8 majit do të marrin pjesë gjithsej 17 koalicione dhe parti./ Alsat.mk