Parlamenti britanik miraton fillimin e procesit të daljes nga BE-ja

Parlamenti britanik të mërkurën ka autorizuar kryeministren Theresa May për të filluar procedurën e largimit nga Bashkimi Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Pas tre ditë diskutimesh dhe 140 faqe të amendamenteve të propozuara, deputetët britanikë me shumicë votash miratuan ligjin për Brexit në leximin e parë me 494 vota pro dhe 122 kundër.

Ky vendim, i mundëson kryeministres May që muajin e ardhshëm të nis procesin e largimit, shtatë muaj pas referendumit historik britanik.

Përndryshe, May nuk ka dashur që parlamenti të diskutojë rreth këtij ligji, por për një gjë të tillë e ka detyruar Gjykata Supreme.

Pasi u pranua nga Dhoma e Ulët, projekt-ligji do të diskutohet në Dhomën e Lordëve.

Deri në pranimin përfundimtar të tekstit ligjor sigurisht do të kalojnë edhe disa javë.

Kryeministrja May ka deklaruar më parë se më 31 mars, do të aktivizojnë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, fazën e parë të negociimit dy-vjeçar të largimit nga BE-ja.