Partia e Gruevskit i quan rrënim të rendit kushtetues kërkesat e BDI-së për koalicion

Formimi i qeverisë së re të Maqedonisë nga VMRO DPMNE, duket i pamundur bazuar në qëndrimin e saj të fundit ku përjashton çdo mundësi për të biseduar me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, e cila të enjten në mbrëmje doli me platformën e saj për negociata me mandatarin Nikolla Gruevski.

Nga BDI-ja thanë se nuk kanë preferenca për ndonjë parti të caktuar maqedonase dhe se do të bisedojnë qoftë me VMRO-në apo LSDM-në e Zoran Zaevit nëse përmbushin tri pikat kryesore të saj, zyrtarizmin e shqipes, integrimin euroatlantik dhe mbështetjen që duhet t’i japin punës së Prokurorisë Speciale.

“Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka partner strategjik dhe preferenca për asnjë bllok politik maqedonas, por mbetet partner me popullin shqiptar. BDI-ja vë interesat e ruajtjes së stabilitetit të vendit para interesave partiake. BDI përcakton si çështje të panegociushme për të ardhmen përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe zyrtare, integrimin në NATO dhe BE, vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale me qëllim të zbardhjes së gjitha dyshimeve të dala nga mega skandali i përgjimeve”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Por, kërkesat e tilla të Bashkimit Demokratik për Integrim nga VMRO-ja janë vlerësuar si rrënuese të rendit kushtetues të Maqedonisë andaj edhe qartë ka bërë me dije se për to jo vetëm që nuk do të bisedojë, por me të gjitha forcat do të pengojë realizimin e kërkesave të tilla.

“VMRO-ja konfirmon qëndrimin e saj nuk pajtohet, nuk do të bisedojë dhe nuk do të lejoj që të ndryshohet kushtetuta për dygjuhësinë në tërë territorin e Maqedonisë dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale… ky qëndrim bazohet në angazhimin tonë për ruajtjen e shtetit unitar, mbrojtjen e rendit Kushtetues, në Marrëveshjen e Ohrit si dhe në marrëveshjet e muajve qershor dhe korrik të vitit 2015…”

“Prokuroria Speciale nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë, është një instrument politik në duart e qendrave të caktuar për të shantazuar çdo politikan që lufton për mbrojtjen e interesave të kombit maqedonas dhe të Maqedonisë në përgjithësi”, thuhet të përgjigjen e VMRO DPMNE-së.

Ndërkohë, reagime ka edhe nga partitë tjera shqiptare të cilat dolën me qëndrimet se platforma e BDI-së për bisedime nuk përfshinë të gjitha pikat e deklaratës së partive politike shqiptare.

Sipas tyre në platformën e partisë së Ahmetit nuk janë përfshirë edhe shumë çështje tjera si barazia ekonomike, vendimmarrja konsensuale, proceset e montuara politike, përfaqësimi, simbolet kombëtare e pikat tjera që përmban deklarata e arritur pas konsultimeve të bëra me drejtuesit e lartë shtetëror në Prishtinë dhe Tiranë.

“Ajo që bën përshtypje në këtë vendim është fakti që nuk është përmendur askund deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni. Megjithatë nuk do të paragjykojmë në këtë kohë dhe do të shohim se si do të ecin punët tutje. Nuk do të kisha thënë se është shkelur platforma. Mbase mund të përmendet në marrëveshjen qeveritare që ata do ta lidhin me VMRO-në. Do të shohim se çfarë do të ndodhë ditëve në vijim”, ka deklaruar Zeqirija Ibrahimi nga lëvizja BESA.

Nga Lidhja Social-Demokrate nuk kanë komentuar zhvillimet e tilla mes VMRO-së dhe BDI-së, por edhe deklaratën e partive politike shqiptare. Nga kjo parti thonë se do të prononcohen vetëm pasi Gruevski të kenë përfunduar afatin për formimin e qeverisë dhe kur mandati t’i kalojë liderit të saj Zoran Zaev.

Vështirësitë në formimin e qeverisë së re janë imponuar nga rezultati i ngushtë zgjedhor më 11 dhjetor ku asnjëra parti nuk ka fituar shumicës që pa probleme të bëj shumicën e re parlamentare.

Në të gjitha variantet janë partitë shqiptare ato që përcaktojnë nëse do të ketë ose jo qeveri të re apo nëse Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme