Ndonëse të hënën pritet të shkojë në Kuvend platforma për dialogun me Serbinë, e miratuar tashmë nga Qeveria, po vazhdon të mos mbështetet nga disa prej subjekteve politike. Përpos që po konsiderohet e mangët, disa prej partive nuk po e pranojnë as faktin që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të jetë kryenegociator i dialogut nga pala kosovare
Ani pse sipas platformës në fjalë Thaçi është ai i cili do ta drejtojë këtë proces, partitë të cilat po e kundërshtojnë një gjë të tillë po shpresojnë se kjo pikë mund të hiqet pas ndryshimeve që mund të bëhen në draftin aktual.
Pos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilat nga këndi opozitar nuk po e pranojnë faktin që kreu i shtetit të jetë kryenegociator, edhe Nisma Socialdemokrate nga pozita nuk po rresht së kundërshtuari një gjë të tillë.
Në anën tjetër, monitoruesit e punës së Kuvendit kanë konsideruar se miratimi i një platforme për fazën finale të dialogut është tejet e rëndësishme për Kosovën, porse versioni i tanishëm duhet të plotësohet nga deputetët pasi është mjaft i varfër.