35-vjeçari Refit Buzi (në foto), i cili vrau me armë gjahu ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën dhe mori peng për disa orë ish-partneren e tij, është rrethuar nga Policia e Fierit.
Ndërkohë, mësohet se ai ka liruar pengun, Rozalinda Plaka.
Policia vijon negociatat me 35-vjeçarin për ta bindur të dorëzohet, ndërsa për shkak se ai është ende i armatosur, është kërkuar edhe ndërhyrja e forcave speciale RENEA.
Burime për News24 bëjnë me dije se Rozalinda Plaka, pas përjetimit të ngjarjes tragjike ku humbi të atin, ndërsa nëna e saj mbeti e plagosur, ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Edhe pse për rreth pesë orë jeta e saj ishte në rrezik, ajo nuk u lëndua fizikisht nga ish-partneri. Sipas të dhënave paraprake, Buzi e kishte kërcënuar me armë, duke i kërkuar të rikthehej në marrëdhënien e tyre.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit, kur Refit Buzi shkoi në banesën e familjes Plaka. Ai qëlloi për vdekje me armë gjahu 58-vjeçarin Kosta Plaka, plagosi 55-vjeçaren Belere Plaka dhe më pas mori me forcë në automjet ish-partneren, Rozalinda Plaka.
Sipas dëshmive të familjarëve, autori kishte lënë automjetin e tij të parkuar pas banesës së familjes Plaka. Pas kryerjes së krimit, ai u largua me shpejtësi, duke mbajtur Rozalindën nën kërcënimin e armës së gjahut.
The post Pas 5 orësh pengmarrje lirohet gruaja në Roskovec. Autori i vrasjes dhe rrëmbimit rrethohet nga Policia, negociohet dorëzimi appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



