Janë bërë më shumë se nëntë muaj që kur tre pacientë ndërruan jetë derisa po operoheshin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Viktimat dyshohet se kanë vdekur në sallën e operacionit si pasojë e gazit oksidol N20, me të cilin furnizohej QKUK-ja nga kompania “Bubeari Komerce”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka treguar se deri ku kanë shkuar hetimet për këtë rast.
Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se janë marr të gjitha palët që kanë të bëjnë me vdekjet e dyshimta.
Beka ka theksuar se lënda është punuar e tëra dhe se ka mbetur vetëm të dal ekspertiza.
“Meqë tek ne mungon teknologjia, ekspertizën duhet ta bëjmë jashtë vendit, në atë vend që ka mundësi të vërtetohet arsyeja e vdekjeve. Ne shkojmë përmes rrugës diplomatike dhe ne po bëjmë biseda me shtetet që na ofrojnë mundësinë për të kryer autopsinë e vdekjeve të dyshimta. Është mbetur që lënda të dërgohet te vendi që e merr përsipër ta kryej autopsinë”, ka thënë Beka.
Sipas tij, Prokuroria ka kryer të gjitha obligimet e saja, derisa ekspertiza do të dërgohet në një shtet të jashtëm.
“Prokurori i rastit ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm, janë intervistuar disa persona, ka kryer hetimet, pra janë kryer të gjitha obligimet nga ana jonë. Ka mbetur vetëm dërgimi për ekspertizë jashtë Kosovës”, ka përfunduar Beka.
Kujtojmë se pas këtyre rasteve, QKUK-ja ka hequr nga përdorimi në të gjitha spitalet regjionale gazin oksidul të kompanisë “Bubeari Komerc”. Tenderin për furnizim me këtë lloj gazi e ka fituar kompania ‘’Medica”, e cila e ka selinë në Prishtinë.