Pas dorëheqjes nga VMRO – DPMNE, a do t’i bashkohet Mijalkovi PDSH’së?

Ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov, një nga personat më të përfolur për keqpërdorime të pozitave gjatë pushtetit të VMRO-së, ka njoftuar se do të ndërpresë aktivitetet e tij politike.
“Me qëllim që të përfundojnë procedurat gjyqësore të cilat po rrjedhin, në të cilat kam besim se do të dëshmohet e vërteta, kam sjell vendim personal të tërhiqem nga të gjitha funksionet partiake”, ka thënë Mijallkov.

Ai ka shtuar se vazhdon edhe më tej fuqishëm të besojë dhe të përkrahë vlerat që promovon VMRO-DPMNE dhe vizionin për të parë Maqedoninë anëtarë të BE-së dhe NATO-së.
Mirëpo, në opinion kanë filluar të qarkullojnë fjalë se Mijalkov mund t’i bashkohet partisë së Menduh Thaçit me qëllim të forcimit të kësaj partie e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare tregoi rezultatin më të dobët prej se ekziston.

Referuar afërsisë së tij me drejtues partiakë të BDI – së dhe me kreun e PDSH’së, Menduh Thaçi, nëpër rrjetet sociale kanë nisur spekulimet se mbase të ardhmen politike Mijalkov do ta vazhdojë tek ndonjë parti e “pobratimëve” të tij shqiptarë, të cilët nuk i mungojnë dhe i ka të bollshëm edhe nga radhët e BDI’së edhe në atë të PDSH’së.

Referuar raporteve të ish kreut të shërbimeve sekrete me kreun e PDSH’së, si dhe “trendit” të kalimeve të shqiptarëve në partitë maqedonase, kalimi eventual i Mijalkov në PDSH mund të paraqesë edhe një risi në skenën politke në Maqedoni kur dihet se deri më tani asnjë figurë e njohur maqedonase nuk i është bashkëngjitur partive shqiptare. Pastaj, përparësi për Mijalkovin do të ishte edhe njohja e gjuhës shqipe për të cilën thonë se e flet rrjedhshëm, pavarësisht se në përgjimet e publikuara ai preferonte të fliste gjuhën amtare kur iu drejtohej politikanëve shqiptarë që e konsideronin si “hero” para të cilit dridheshin dhe besnikërisht me përulje i shërbenin.

Por, në fund të fundit, Mijalkov edhe ua ka “borxh” t’i ndihmojë edhe më tutje ata që i betoheshin për besnikëri deri në vdekje si dhe ata të cilët i këshillonte të kenë kujdes, se “guri të vjen nga afër”!

Mijallkovi është i akuzuar nga Prokuroria Speciale Publike dhe gjykata i ka shqiptuar masën e konfiskimit të pasaportës dhe paraqitjen e rregullt në gjykatë. Si drejtor i policisë sekrete dhe kushëri i ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit, ai njihej si një nga njerëzit më të fuqishëm në Maqedoni në dhjetëvjetëshin e kaluar./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme