Gazetar: Suad Bajrami
Lupço Palevski- Pallço, i dyshuari i parë për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Panço Zhezhovski në nëntor të vitit të kaluar, pas pesë muajsh paraburgim në Turqi, u ekstradua në Maqedoninë e Veriut. Prokuroria, informoi se hetimi është në fazën finale, ndërkaq prokurori po ndërmerr masa hetuese për verifikimin e provave, të cilat nuk mund të ndahen me opinionin.
“Pas ekstradimit të të dyshuarit të parë nga Turqia, prokurori publik vazhdon të marrë veprime hetuese në lëndën për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit. Për 5 të dyshuarit, 3 prej të cilëve janë bashkëkryerës në veprat e rënda penale-dy rrëmbime dhe dy vrasje në mënyrë mizore, 1 i dyshuar për ndihmë gjatë rrëmbimit të personit të mitur dhe 1 i dyshuar për ndihmë pas kryerjes së veprës penale, hetimi është në fazën përfundimtare”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.
Palevski, u ekstradua me linjë komerciale nga aeroporti i Stambollit. Me të arritur në Shkup, njësiti policor për bashkëpunim me Interpolin, me katër automjete civile e dërgoi në Burgun e Shutkës, pasi që paraprakisht i është caktuar paraburgim 30-ditorë.
Sipas autoriteteve të burgut, për Palevskin po zbatohen protokolle të veçanta në aspektin e sigurisë. Është vendosur në hapësira të posaçme, nuk ka kontakt me persona të tjerë, madje, edhe në minutat për ndërrim ambienti, ndërkaq ushqimi kontrollohet para se t’i shërbehet. Ashtu sikur të gjithë të paraburgosurve, edhe Pallços i është kryer kontroll mjekësor, për çka ai nuk ka pasur kurrfarë ankese. Sipas hetimit, më 22 nëntor të vitit 2023 është rrëmbyer Pançe Zhezhovski. Rrëmbyesit në po të njëjtën ditë e kanë vrarë dhe varrosur në Veles. Pesë ditë më vonë, më 27 nëntor, është rrëmbyer Vanja Gjorçevska. Sipas hetimit, ajo është vrarë vetëm dy orë e gjysmë pas rrëmbimit dhe është varrosur në fshatin Brazhdë të Shkupit. Në vendin e njëjtë është gjetur edhe makina e Zhezhovskit. Në paraburgim ndodhen edhe Vllatko Kashishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski, të cilët me Pallçon i bashkon partia “E Djathta”. Pos tyre, i akuzuar është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili dyshohet që Pallços i ka dhënë informata për orarin e lëvizjes së Vanjës. Aktualisht, ai ndodhet në arrest shtëpiak, pasi Supremja e ka pranuar ankesën e tij. Ditëve në vijim, Palevski duhet të dërgohet në Prokurori, për të dëgjuar versionin e tij për rrëmbimet dhe vrasjet e Vanjës dhe Pançes. /Alsat.mk