Presidenti i Kosovës i cili veproi si një adoleshent kur reagoi i zemëruar ndaj atyre që ia refuzuan dekoratën dhe zgjodhi edhe të gënjejë publikisht pikërisht për këtë çështje, ka vazhduar prapë me ndarjen e tyre. Kësaj radhe ai ka vendosur ta dekorojë Agim Çekun, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së
“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar sot edhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çekun, me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Madje, për ta zbutur krejt këtë situatë, nga Presidenca thonë se deri më tani Thaçi ka dekoruar edhe kryeministrin Haradinaj, kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, Rita Orën dhe personalitete tjera, por duke mos harruar se shumë të tjerë ia refuzuan atë.
Kreu i Shtetit, mbrëmjen e së martës shkroi një status ku paraqiste qartazi inatin që shumë bashkëpunëtorë të tij ia kishin refuzuar dekoratën. Ai edhe gënjeu kur tha se të njëjtët nuk mund ta refuzojnë medaljen presidenciale, kur, sipas tij, emrat e tyre ende nuk janë shqyrtuar.
“Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar. E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht. Do t’i zbatoj me përpikëri kriteret kushtetuese, ligjore dhe kombëtare, dhe sa për sqarim, propozimet nuk janë dekorim. Të refuzuarit nuk do të marrin përgjigje publike, sepse nuk dua t’i lëndoj. Të dekoruarit do të njoftohen zyrtarisht”, ishte njëri nga fragmentet e postimit të Thaçit për dekoratat.
Por pak orë më vonë, Presidenti zbulohet keq për gënjeshtrën publike. Njoftimi i Presidencës, i disa ditëve më parë nxori në pah deklarimin e rrejshëm të Hashim Thaçit për dekoratat.