Aung San Suu Kyi tha se ajo “ndjen thellësisht” keqardhje për vuajtjet e “të gjithë njerëzve” të cilëve u janë djegur shtëpitë në shtetin Rakhine që kur dhuna filloi muajin e kaluar.
“Ne jemi të shqetësuar kur dëgjojmë numrin e myslimanëve që largohen nga Rakhine për në Bangladesh”, tha ajo në një fjalim televiziv të martën, duke shtuar se Mianmar dënon çdo “shkelje të të drejtave të njeriut” e cila mund të ketë përkeqësuar krizën, shkruan “Al Jazeera”, transmeton Periskopi.
Suu Kyi gjithashtu tha se ajo ishte “e shqetësuar” për muslimanët dhe të tjerët që kanë ikur në Bangladeshin fqinjë.
Laureatja e Çmimit Nobel për Paqen ka ardhur nën kritika të rritura gjatë muajit të kaluar, pasi më shumë se 410,000 Rohingya janë larguar nga Birmania për në Bangladesh, duke u arratisur nga ajo që OKB e ka përshkruar si “spastrim etnik”.
Të hënën, udhëheqësit nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Franca, Kanadaja dhe Australia i kishin kërkuar Aung San Suu Kyi që të shtyjë ushtrinë e Mianmarit për t’i dhënë fund dhunës kundër Rohingyave.
Në fjalimin e saj, Aung San Suu Kyi tha se “nuk është qëllimi i qeverisë së Mianmarit të ndajë fajin apo të abstenojë përgjegjësinë”, duke thënë me fjalë të tjera se Mianmari nuk ka frikë nga “shqyrtimi ndërkombëtar” mbi krizën e Rohingyave.
Ajo ftoi vëzhguesit ndërkombëtarë që të vizitonin Rakhinen dhe t’i shohin problemet më nga afër.
Ndërsa Aung San Suu Kyi nuk ka kontroll mbi ushtrinë, ajo ishte kritikuar për heshtjen e saj rreth dhunës në Rakhinë.
“Shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të gjitha aktet e tjera që dëmtojnë stabilitetin dhe harmoninë dhe minojnë sundimin e ligjit do të trajtohen me norma strikte të drejtësisë”, tha ajo.
Aung San Suu Kyi tha se vendi i saj ishte i gatshëm “në çdo kohë” për të verifikuar statusin e Rohingya që kanë ikur nga dhuna në muajin e fundit për të ndihmuar kthimin e atyre që kanë të drejtën e rivendosjes.
“Ne jemi të përgatitur të fillojmë procesin e verifikimit në çdo kohë”, tha ajo duke iu referuar atyre që kanë ikur në eksodin e pashembullt në Bangladesh, pa garantuar kthimin për të gjithë refugjatët./Periskopi