Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj pas kërkesës për anëtarësim të NATO, ka kërkuar që të njihet pavarësia e Kosovës edhe nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Mehaj në një postim në Facebook ka shkruar se kërkuar nga qytetarët dhe diaspora të gjithë në rrjetet sociale të vendosin hashtagun #KosovoInNATO, #KosovoInEU.
Ai ka kërkuar nga Sllovakia, Rumania, Greqia, Spanja dhe Qipro që ta njohin shtetin e Kosovës.
“Qytetarë të dashur, Bashkëkombës nga mërgata jonë kudo në Botë,
Miq tanë ndërkombëtar,
Ju bëjë thirrje si bashkëqytetar, bashkëkombës dhe mik i juaj,
Të ftoni kudo që jeni, nga cilado pozitë që keni,
Të ftoni miqtë tuaj spanjoll, grek, rumun, sllovak dhe qipriot, ta dëgjojnë të vërtetën e Kosovës dhe popullit tonë:
– Republika e Kosovës dhe populli ynë, ndajnë vlera të përbashkëta euroatlantike të lirisë, të paqes dhe të demokracisë.
– Republika e Kosovës është partner i besueshëm, e këtë e kemi dëshmuar në vazhdimësi në secilin projekt të përbashkët në funksion të humanitetit, paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë.
– Republika e Kosovës, historikisht dhe kulturalisht, është pjesë e pandarë dhe e natyrshme e familjes evropiane.
Të gjithë së bashku, në profilet tona të rrjeteve sociale të vendosim: #KosovoInNATO, #KosovoInEU. /Telegrafi/