Nga Kim Mehmeti
Do mbahet mend si e gdhendur në gur e vërteta se përderisa e gjithë bota e jetonte trishtimin si ta shpëtojë vetveten nga pandemia dhe nga varfëria që pritet të vijë pas saj, Presidenti i Kosovës dhe ‘kryeplaku’ i LDK-së, dolën në krye të zhvatësve të bashkuar ‘proamerikanë’ të vendit dhe, e nisën luftën për ta marr pushtetin në dorë!
Dhe përderisa e tërë bota hartonte strategji si ta përballojë papunësinë gjatë katastrofës ekonomike që do pllakosë planetin pas pandemisë, Piktori i “Rilindjes” i ishte përkushtuar vetëreklamimit dhe bënte çka t’i dojë qejfi, edhe atë në një Shqipërinë me pushtet por ku nuk kishte shtet, aty ku njerëzit merreshin me të, e jo me të keqen që i pret, aty ku ai ishte edhe gjykatë kushtetuese, edhe mjek, edhe ekspertë…, por nuk ishte vetëm atë që duhej të jetë -burrështetas!
E në ndërkohë, në Maqedoninë e heshtur, që shumëkush edhe e përbuzë – e ky kryeministri nuk del në ekranet televizive as njëherë në muaj – pa zhurme dhe duke u kujdesur që të mos e trishtojnë pa nevojë popullin edhe ashtu të trembur nga pandemia, burrështetasit sjellin vendime për ta përballur varfërinë që pritet të arrijë. Kështu që, sa për fillim, të gjithë të emëruarit e të zgjedhurit e popullit, do marrin paga minimale, që pjesën tjerët t’ia kthejnë punëdhënësit të tyre – popullit.
Po pra, do mbetet e paharrueshme dhe si e gdhendur në gurë e vërteta se në kohë pandemia, disa politikanë të Kosovës mendonin si t’i kthehen grazhdit të shtetit dhe e përçanin popullin me sjelljen e tyre si të ishin pjesëtarë të policive sekrete perëndimore, të paguar për të zbuluar spiun e bashkëpunëtor të Rusisë e të Kinës?!
Do mbete si e gdhendur në gurë edhe e vërteta se në kohë pandemie, Piktori i “Rilindjes” i tha gjitha që kishte lexuar e që i dinte për pandeminë, por jo siç i ka hije një burrështetasi, por si të ishte një nga arixhinjtë që shkojnë lagje në lagje, e fshat në fshat, për të përfituar nga hallexhinjtë e sëmurë, që s’dinë ku të kërkojnë derman!
Dhe politikanët e ‘Shqipërive’ tona sillen kështu edhe në kohë pandemi sepse e dine që pas kësaj vjen varfëria, vjen koha kur populli më qartë do e sheh se ata janë sëmundja më e rëndë nga e cila vuan shqiptaria. Ata sillen kështu sepse afrohet dita kur edhe më qartë do shihet se ne kurrë nuk kemi pasur burrështetas që kanë mbrojtur popull e kanë ndërtuar shtet, por një lloj të ri mercenarësh, të cilët duan ta arrijnë të pamundurën: t’u takojë edhe lavdia edhe hajnia!?