Pas politizimit, tash nepotizëm në QKUK

Shërbimi Spitalor Klinik i Kosovës ka marrë në punë rreth 150 infermierë të fushave të ndryshme. Në këtë konkurs kanë konkurruar gati 1 mijë persona dhe ka pasur edhe shumë ankesa. Në mesin e të pranuarve ka familjarë të stafit të administratës së SHSKUK-së. Drejtoria nuk është ballafaquar me gazetaren për të sqaruar mundësinë e nepotizmit në këtë rast, raporton KTV.

Emri i Liridona Gllarevës është i pari në listën për infermierë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, për Infermier-Mami.

Gjithçka do të ishte në rregull nëse bashkëshorti i saj, Alban Janova, të mos ishte zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale në SHSKUK dhe kryetar i njërit prej komisioneve që përzgjodhën infermierët në konkursin e dhjetorit të 2017-s.

Gllareva, e cila në këtë konkurs nuk e kishte shënuar fare mbiemrin e burrit, arriti që në intervistën me shkrim dhe me gojë të sigurojë 340 pikë, ndër tri të parat të pranuara.

Por, mbiemrin e bashkëshortit e ka të shënuar në rrjetet sociale, ku edhe ka fotografi të shumta me të.

Vetë Alban Janova nuk ka pranuar të prononcohet për televizionin dhe ka thënë se nuk ishte pjesë e Komisionit të Mamive.

“Kemi qenë tre komisione. Unë kam qenë në Komisionin për infermier të përgjithshëm. Gruaja ime është pranuar si Mami dhe është pranuar vetë. Unë s’kam ndikuar. Arsyeja pse nuk e ka shënuar mbiemrin Janova është sepse në dokumente të shkollës së Mesme e ka ashtu emrin. Zyrtarisht, i ka dy mbiemra, por mund të them se shumicës nuk ua kemi shënuar mbiemrin e dytë, sepse nuk na zinte kolona”, tha Alban Janova.

Por, mënjanimin e mbiemrit të dytë, për shkak se nuk e zinte kolona, e hedh poshtë kandidati i dytë i pranuar pas Gllarevës.
Kohavisioni ka provuar të marrë një qëndrim zyrtar nga Zyra e drejtorit të SHSKUK-së lidhur me punësimin e familjarëve, por kjo zyrë është përgjigjur vetëm me shkrim.

Ata vetëm kanë thënë se Janova nuk ka qenë pjesë e Komisionit të përzgjedhjes së Mamive.

“Që nga fillimi i procedurës së testimit me shkrim ka qenë e kyçur edhe Sindikata, përkatësisht anëtarë të Sindikatës nga QKUK-ja. Sindikata, e cila ka monitoruar tërë procedurën e konkursit, nuk ka pasur ankesa gjatë procedurës së testimit me shkrim të kandidatëve, por as në intervistën me gojë”.

Kohavision ka kontaktuar përfaqësuesit e Sindikatës, por, sipas tyre, ata vetëm kanë monitoruar punën dhe me aq sa kanë parë nuk kanë arritur të vërejnë një detaj të tillë. Xhemë Selmani nga kjo sindikatë ka thënë se kanë qenë gati njëmijë aplikantë dhe ne nuk kemi kontrolluar në baza familjare, ankesa nuk ka pasur dhe nuk mund të dimë nëse ndonjëri nga ta e ka punësuar gruan.

Mbi 70 ankesa janë dorëzuar për këtë konkurs dhe pritet të shytohen nga një Komisioni i veçantë.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme