Serbia vijon të jetë një faktor destabiliteti për rajonin duke luajtur një lojë të dyfishtë me Perëndimin, ndërsa kërcënon fqinjët si Kosovën apo Kroacinë me luftë.
Sëfundmi, pas armatosjes me raketa nga Kina dhe avionë e tanke nga Rusia, serbët po kalojnë në një fazë tjetër të militarizimit.
Mediat serbe raportojnë se ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç paralajmëroi një rikthim të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi si edhe trajnimin e të gjithë personave që janë mbi 30 vjeç.
Vuçeviç shton se këtij trajnimi duhet t’i nënshtrohen edhe ata të moshuar që “kanë hyrë në dekadën e katërt”.
Vuçeviç ka thënë për mediat serbe se për ta duhet të vendoset një shërbim më i shkurtër ushtarak, që do të zgjasë tre javë, duke theksuar se është në prag diskutimi me ekspertët edhe për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
“Qëllimi i rivendosjes së shërbimit ushtarak është trajnimi i gjeneratës së ardhshme për të vepruar në situata krize në mënyrë që qytetarët e Serbisë të jenë të sigurt. Ne jemi të shqetësuar kur kemi një përmbytje ose zjarr dhe nuk dimë si të reagojmë.” tha ministri.