Reshjet e shiut të dielën, kanë shkaktuar telashe në komunën e Prishtinës, duke përfshirë bllokim të rrugëve dhe dëme nëpër lokale nga depërtimi i ujit.
Po ashtu edhe sheshet janë mbushur me ujë nga vërshimet, përfshirë amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Kjo ka bërë që qytetarët si shenjë ironie ndaj kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, të demnstrojnë zënien e peshqve aty.
Në disa fotografi që janë publikuar në rrjetet sociale, shihen qytetarë që kanë vendosur “shtagat e peshqve”…
Ndërkaq, Ahmeti në një shkrim në Facebook, ka përmendur programin kulturor në kuadër të “Akull n’Verë”, që nuk u mbajt për shkak të reshjeve të shiut.
Ai ka thënë se programi do të zhvendoset për netët në vijim.
“Me keqardhje ju njoftojmë që edhe sonte për shkak të reshjeve të shiut, përformanca e Ylli Megi anulohet dhe zhvendoset për një datë tjetër. Programi kulturor në kuadër të Akull n’Verë do të vazhdojë. Prandaj, na ndiqni për të kuptuar programin për netët në vijim. Shihemi së shpejti”, shkroi Ahmeti në Facebook.
“Më mirë do ishte të merakosej për gjendjen e rrugëve të Prishtinës sesa për anulimet e koncerteve”.
“Prishtinën don me marrë uji, ky flet për përformancën e Yllit”.
“Që dy mandate nuk e zgjidhe këtë problem”.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli ka deklaruar se pas reshjeve të fundit të shiut, kishte vërshime në katër lagje në kryeqytet, si dhe në fshatin Zllatar.