Pasojat e skandalit të produkteve të mishit në Belgjikë janë duke vazhduar, ndërsa komiteti i shëndetit publik parlamentar belg është duke debatuar këtë çështje për herë të parë.
Pas këtij problemi me cilësinë e mishit që e konsumojnë qytetarët, Belgjika ka mbyllur fabrikën e përpunimit të mishit VEVIBA ndërsa të gjitha marketet belge kanë larguar nga raftet e tyre llojin e tillë të mishit, njofton Klan Kosova.
Zyrtarët kanë theksuar se ndër gjetjet që ishin bërë në fabrikën e mishit VEVIBA, janë edhe pjesë kockash të cilat nuk janë të destinuara për konsum ndërsa janë gjetur në mish të bluar, sikurse edhe lëkurë kafshësh rreth fytit dhe gjymtyrëve.
Ata po ashtu hasën edhe në mbeturina të mishit të kafshëve të ngordhura, të destinuara për ushqim të kafshëve të cilat janë të ndaluara për konsum njerëzor.
Ndërkohë për këtë manipulim mbi produktet e mishit për një transmetues belg ka folur edhe një punonjës i VEVIBA-s.
Derisa ka shpjeguar procesin e këtij skandali, i njëjti ka thënë se mishi në fjalë ishte eksportuar në Europën Juglindore dhe jo në tregun e brendshëm.