Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas takimit me kancelarin austriak, Sebastian Kurz tha se do të punojnë veç e veç me shtetet e Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave.
Thaçi tha se qytetarët e Kosovës meritojnë lëvizje e lirë dhe sa më shpejtë që ndodh është më mirë.
“Do të punojmë me shtetet anëtare të BE-së veç e veç që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt”, tha Thaçi.
Presidenti më tej theksoi se pavarësisht kësaj, dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë dhe se pa njohje reciproke nuk do të ketë të ardhme të sigurt.
” Do të punojmë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me obligime ligjore ndërkombëtare”, tha Thaçi, duke shtuar se asnjë marrëveshje e arritur nuk ka kuptim pa njohje reciproke.
Në anën tjetër Kurz liberalizimin e vizave për kosovarët e ka parë me skepticizëm. Ka thënë se Kosova duhet ta kalojë testin e fundit në Këshillin Evropian, ku sipas tij shumë shtete janë skeptike se kosovarët duhet të lëvizin lirshëm.
“Këtu ka pasuar një vendim pozitiv nga komisioni evropian, por gjithashtu edhe Këshilli i Evropës duhet të votojë, aty ka më shumë vende të Evropës këtu jam më i kujdesshëm për shkak të skepticizmit të disa vendeve të cilat mund të mos e përkrahin liberalizimin e vizave për kosovarët”, ka thënë Kurz.