Nga Flutura Açka
Një vit pas vrasjes së djaloshit të ri Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, në kohën kur u censurua një dokumentar kushtuar kësaj vrasjeje makabre dhe hijeve të fajit dhe të pandëshkueshmërisë së tij, mora një mesazh nga një gazetar investigativ. Meqenëse kishte parë nga postimet e mia se isha atë kohë në Holandë, ai më kërkoi miqësisht që – në emër të grupit që gazetarëve që merrej me investigimin – të verifikoja adresën e kompanisë simotër holandeze që u shpall atë kohë si fituese e inceneratorit të Tiranës.
Pas disa telefonatave të vazhdueshme në numrin e shpallur të telefonit, nga shpesh më vinte heshtje, më në fund nisi të përgjigjej një familje, e cila në fakt u bezdis shumë prej meje dhe e përligji bezdisjen time me gabimin e prerjes së telefonit dhe kaosin e ndonjëhershëm të kompanive telefonike holandeze qysh nga koha kur ishin shfaqur shitjet me telefon.
Në Holandë gjithçka ka adresë dhe transparencë. Emra të tillë holandezë që i korrupton paraja, ka sa të duash në Holandë. Fundja, siç ka thënë Michel Houellebecq “Holanda një kompani e madhe është”, kështu që është gjëja më e natyrshme të ndërtosh kompani guacka, e flluska e fantazma e mashtruese atje. Ku ka diell, natyrshëm ka edhe hije, gjatësia e së cilës varet vetëm nga këndi i dritës.
Tani tre vjet më pas asgjë nuk ka ndryshuar, edhe nëse ka ndryshuar dhe ajo godinë është kthyer në adresë e një kompanie shqiptaro-holandeze, nuk ka ndryshuar asnjë të paktën me Tiranën. Është gjithnjë e më e pistë. Kur një mbrëmje ndala te makina e plehrave që po merrte mbetjet e banorëve të rrugës sime në Tiranë dhe e pyeta një si farë shefi që vinte rrotull se “përse nuk pastronin mbetjet rrotull koshave, ato masat me dhera e dërrasa, por vetëm zbraznin koshat?”, më tha shpërfillës: “Nuk është puna jonë, ne kemi kontratë vetëm për mbeturinat në kosha”.
Ndaj, nëse ndokujt i lypet ndonjë adresë holandeze për inceneratorin e radhës, ofroj adresën time. Një gjë është e sigurt: Unë paratë e shqiptarëve do t’i bëj libra!