Pasi tha se nëse rrëzohet merr me veti edhe Thaçin e Veselin, Krasniqi i reagon Haradinajt: Mos u frikëso

Nënkryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se Ramush Haradinaj s’bën të frikësohet nga rrëzimi prej pozitës së Kryeministrit.

Reagimi i njeriut të dytë të PDK’së ka ardhur pasi Kryeministri Haradinaj, një natë më parë, tha se nëse rrëzohet bashkë me te do të shkojnë në shtëpi edhe Kadri Veseli e Hashim Thaçi.

Memli Krasniqi ka thënë të mos e ketë dëgjuar e lexuar deklaratën e Haradinajt, e cila është publikuar në televizione, gazeta e portale.

“Nuk e kam dëgjuar deklaratën e z. Haradinaj, por besoj se Kryeminstri nuk duhet të ketë asnjë frikë nga rrëzimi prej pozitës se tij”, ka thënë Krasniqi.

Të premten mbrëma, Haradinaj në KTV ka thënë se është i gatshëm ta rrëzojë Qeverinë, por me vete do t’i marrë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish-bashkëpunëtorin e ngushtë të presidentit, Kadri Veselin.

“Po shkojmë të gjithë në paket, po shkojmë edhe unë edhe kryeparlamentari edhe presidenti, edhe po e çlirojmë Kosovën”, kishte thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK’së ka nisur një betejë me ish-Kryetarin e PDK’së, Hashim Thaçin lidhur me marrëveshjen finale me Serbinë. Kryeministri ka kundërshtuar idenë e Presidentit për ndryshim e korrigjim kufijsh.

Shefi i Qeverisë së fundmi ka marrë një vendim për t’i vënë taksë 100 për qind produkteve serbe. Presidenti ka dalë edhe kundër këtij vendimi.

Pas vendimit për taksën, katër kryetarë të komunave veriore, kanë dhënë dorëheqje.

Ndërkohë, në PDK thonë se Ramush Haradinaj duhet të ketë plan të qartë për taksën dhe për çështje tjera.

“PDK i ka dhënë mbështetjen e plotë Kryeministrit që nga fillimi dhe këtë mbështetje vazhdon ta ketë. Edhe për çështjen e taksës ne e mbështesim, sepse besojmë se ai ka plan të qartë për këtë dhe çështjet e tjera”, ka shtuar Krasniqi për Express.

“Spekulimet dashakeqe nuk duhet të ndikojnë në punën e rëndësishme të cilitdo bartës institucional”, ka deklaruar Memli Krasniqi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme