Pavarësisht presioneve, greva në arsimin fillore dhe të mesëm po realizohet në të gjitha shkollat

Gazetare: Melihate Rustemi

Mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm pavarësisht presioneve nuk zmbrapsen nga greva që tashmë ka hyrë në javën e tretë të saj, shkruan Alsat.

Profesori Burim Aliu kujtoi autoritetet qeveritare se janë të gatshëm të përballen edhe më humbje të plotë të pagës mujore por nuk do të heqin dorë nga kërkesat për rritje të pagës prej 18.4 për qind dhe zbatimin e marrëveshjeve kolektive.

“Tashmë 24 vjet punoj në arsim, kemi pas edhe greva të tjera, bile në 2014 ka qenë 17 ditë mirëpo këso gjëra nuk ka pasur. Mirëpo, unë jam i bindur që shumica edhe prej kolegëve, gjithë mësimdhënësit që janë në tërë Maqedoninë, mbi 25 mijë veta janë të gatshëm të sakrifikojnë derisa t’ja arrijnë qëllimit. Jemi të gatshëm edhe mos të marrim paga ose të themi të jenë minimale apo siç po i thonë ata”, u shpreh Burim Aliu, SASHK SHMQSH “Zef Lush Marku”.

Ndryshe nga gjimnazi “Zef Lush Marku” ku nuk takuam asnjë nxënës, në shkollën e mesme “Shaip Jusuf” në komunën Shuto Orizarë mësimdhënës të caktuar realizonin procesin mësimor, por me shumë pak nxënës.

“Mund të them se gjithçka është në rregull, greva vazhdon. Ata kolegë që janë të vendosur të mbajnë mësim e realizojnë atë, nuk kemi presione. Po ndjekim udhëzimet e SASHK-ut dhe shpresojmë në përgjigje dhe marrëveshje pozitive mes SASHK-ut dhe Qeverisë. E kuptoj që jemi në krizë por shpresoj që Qeveria dhe SASHK-u do të gjejnë një zgjidhje të përbashkët që ta na ndihmojnë edhe ne sepse, realisht jeta e vështirë është bërë për të gjithë”, theksoi Boban Jovanoski, SASHK SHMQSH “Shaip Jusuf”.

Kryetari i VMRO-s, Hristijan Mickoski i quajti çmenduri akuzat e LSDM-së se greva në arsim ka prapavijë politike pas të cilës qëndron VMRO-ja opozitare.

“Dua të shpreh një mbështetje të qartë dhe absolute për mësimdhënësit dhe le të jetë e qartë, ne do të mbështesim çdo zgjidhje që do të jetë në drejtim të të drejtave më të mëdha, më shumë pagesë për këta njerëz për një jetë më të mirë dhe më dinjitoze. Dhe vërtet i shoh si budallaqe dhe të parëndësishme akuzat se greva është me me motive politik, sepse lufta për standardin e atyre që krijojnë të ardhmen nuk është vetëm e drejtë, por edhe detyrim i ynë”, deklaroi Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

Greva e nisur nga 11 prilli po zhvillohet vetëm në arsimin fillor dhe të mesëm. Punojësit në çerdhe u shprehën për ndërprerje të grevës me qëllim që kujdesi i fëmijëve të mos mungojë ndërsa prindërit e punësuar të mos rrezikojnë vendin e punës për shkak se s’ka kush të kujdeset për fëmijët e tyre. Të mërkurën më 4 maj punonjësit e arsimit kanë paralajmëruar protestë masive./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme