Partia Demokratike ka dorëzuar zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun e Kukësit, duke kërkuar përsëritjen e tyre. Ankimimi është bërë përmes përfaqësuesit ligjor Franci Nuri.
Në dokumentin e dorëzuar, PD rendit një sërë shkeljesh që, sipas saj, cënuan rëndë procesin zgjedhor në këtë qark. Ndër më kryesoret, PD përmend përdorimin e aseteve shtetërore gjatë fushatës në funksion të një partie politike, shitblerjen e votës dhe parregullsitë me votën e emigrantëve.
Sipas Partisë Demokratike, këto shkelje e kanë deformuar vullnetin e votuesve dhe e bëjnë të domosdoshme përsëritjen e procesit zgjedhor në Kukës. KQZ pritet të shqyrtojë ankimimin në ditët në vijim.