PD kërkon zbardhjen sa më të shpejtë të vdekjes së Astrit Deharit

Partia e Drejtësisë ka pritur me keqardhje dhe pikëllim të thellë lajmin e papritur për vdekjen tragjike të zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje e studentit të mjekësisë, Astrit Dehari.

Përmes një ngushëllimi dërguar mediave, PD i ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjen Dehari, gjithë anëtarësinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë “për këtë humbje të madhe duke e lutur Zotin e Madhërishëm që të mëshirojë shpirtin e tij kurse familjes dhe gjithë miqve t’ua shtojë durimin dhe forcën për të përballuar këtë ngjarje dhe humbje të rëndë”.

“Njëkohësisht, Partia e Drejtësisë kërkon veprim të shpejtë dhe të drejtë profesionalisht të autoriteteve shtetërore në zbardhjen e shkaqeve të këtij rasti tragjik”, përfundon letra ngushëlluese e PD-së.