Partia Demokratike ka nxjerrë një shkresë me anë të së cilës pretendon se dy ministrat e qeverisë Rama kanë bërë disa udhëtime me Mirel Mërtirin (bashkëjetuesin e Stela Gugalles) dhe Klodian Zoton (I shpallur në kërkim për inceneratorët).
Postimi është bërë nga këshilltari ligjor i grupit të PD, Marash Logu, që i bën thirrje SPAK të marrë në pyetje Ametajn dhe Gjiknurin. Është e paqartë se përçfarë dokumentash bëhet fjalë, pasi materiali i publikuar nga PD duket se është nxjerrë nga një celular.
Postimi i plote i PD
UDHËTIMET 430 MILIONË EURO TË ISH-MINISTRAVE AHMETAJ DHE GJIKNURI
Nga 27 janari 2012 deri më 16 tetor 2019, Arben Ahmetaj ka udhëtuar 12 herë me dy pronarët e kompanive të inceneratorëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Nga 27 janari 2012 deri më 23 korrik 2019, Damian Gjinkuri ka udhëtuar 6 herë me dy pronarët e kompanive të inceneratorëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë sot në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv, pastrim të produkteve të veprës penale, të kryera në bashkëpunim, për aferën korruptive të inceneratorëve. Ndërsa, miqtë e tyre politikanë, të veshur njëri me kostumin e zëvëndëskryeministrit dhe tjetri me atë të sekretarit të përgjithshëm të PS-së, vazhdojnë vjedhjet të pashqetësuar.
SPAK duhet të thërrasë një orë e më parë Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin për të sqaruar miqësinë e udhëtimet e tyre me pronarët e inceneratorëve. Sepse, ndryshe nga sa thonë Ahmetaj-Gjiknuri, miqësitë a udhëtimet e tyre private, iu kanë kushtuar qytetarëve shqiptarë 430 milionë euro.





