Dy parti me rivalitet, sot janë të bashkuar rreth një ideje, për zhbërjen e Gjykatës Speciale e cila pritet të hetojë krimet e luftës të kryera nga shqiptarët.
Përderisa, Partia Demokratike e Kosovës, ishte pro themelimit të Gjykatës Speciale para dy viteve, ajo tash në vitin 2017 ka ndërruar qëndrim.
Në një bisedë me Insajderin deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka konfirmuar se shumica e deputetëve të kësaj partie e mbështesin zhbërjen e Gjykatës Speciale.
“Realisht tash është kryesia e kuvendit është mbledhur dhe pastaj do të mblidhet grupi dhe do ta kemi qëndrimin tonë, por megjithatë shumica e deputetëve kanë nënshkruar për shfuqizimin e dhomave të specializuara për Gjykatën Speciale”, ka thënë Beqa për Insajderin.
Në anën tjetër një qëndrim të prerë që e kishte pasur edhe para dy viteve, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta ketë edhe sot.
Deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi për Insajderin ka thënë se VV është pro zhbërjes së Gjykatës Speciale për shkak se sipas tij është një padrejtësi themelimi i saj.
“Ne do të marrim pjesë në debat edhe në zhvillimet kurdo që ato të ndodhin. Atëherë kemi qenë kundër Speciales edhe sot jemi kundër, Gjykatës Speciale jo për ta kundërshtuar drejtësinë, por për të kundërshtuar diçka të pa drejtë sepse kështu e kemi vlerësuar përkundër atyre që sot, unë nuk po i kuptojë, a janë ata të 2015 apo ata të 2017”, ka thënë Selimi për Insajderin.