PDK reagon për rastin Drenica: Komandantët e UÇK-së u dënuan pa të drejtë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se ka përcjellë me shqetësim proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së në secilin rast, e në veçanti në rastin Drenica. Ish-Partia e Hashim Thaçit thekson se ndihen të shqetësuar për arsyen se pjesëtarët e UÇK-së janë dënuar padrejtësisht, shkruan Sakte.net

“Shqetësim edhe më i madh për ne është se janë dënuar pa të drejtë, duke u cenuar edhe vetë sistemi i drejtësisë dhe nocioni drejtësi për qytetarin tonë”, thuhet në komunikatë.

Më tej PDK-ja thotë se “në cilindo rast të këtillë, ne kemi pasur dhe kemi bindjen e thellë se lufta e UҪK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe që ka respektuar ҁdo normë ndërkombëtare. Kjo edhe është vërtetuar në shumë raste, nga të cilat është tentuar të dëmtohen figura të larta çlirimtare dhe vetë lufta e drejtë e UҪK-së. Rasti i fundit tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi ishte një tendencë e mohimit të vlerave tona sublime dhe dënimit të figurava të larta edhe në kundërshtim me vetë standardet e drejtësisë të njohura në botë dhe ligjet e Kosovës.

Me këto dënime jo të drejta, haptazi vërehet tendenca e inkriminimit të luftës së drejtë të UҪK-së dhe e krijimit të baraspeshës në mes luftës së drejtë të UҪK-së dhe agresionit të Serbisë”.

PDK gjithashtu thekson: Kemi qëndrim të qartë për drejtësinë si sistem i pavarur, profesional dhe i paanshëm, por në çdo rast të cenimit të këtij parimi, si në këtë radhë, fton instituiconet relavante vendore dhe ndërkombëtare që të veprojnë sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare në çdo rast dhe të korrektojë çdo padrejtësi që është vërejtur gjatë këtij procesi gjyqësor, që nuk duhet të jetë pjesë e jetës juridike të një shteti demokratik.

“Ne vazhdojmë të besojmë në pafajësinë e luftëtarëve dhe në luftën e drejtë të UҪK-së, si dhe kërkojmë veprime që mbrojnë imazhin e drejtësisë. Nuk do të pajtohemi me aktgjykime që kanë për bazë motive tjera jashtë drejtësisë”, përfundon komunikata.