Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me vendimin e djeshëm të Gjykatës Supreme e cila pranoi si të bazuar ankesën e Vetëvendosjes për mos-rinumërim në Komunën e Prizrenit, ankesë kjo e bazuar në kërkesën që e kishte parashtruar PDK në PZAP dhe e cila ishte pranuar.
PDK ka hedhur akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e ka quajtur edhe “parti klanesh terroriste”.
Blerand Stavileci nga kjo parti, tha se Gjykata Supreme nxori si të pabazuara kërkesat e tyre për rinumërim votash “edhe pse ofruam argumentet tona në bazë të të cilave shihet qartë manipulimi me vota i bërë nga klani i hajnave terroristë të Partisë Vetëvendosje”.
“Gjykata Supreme, mbase edhe e ndikuar nga presioni publik që kjo parti klanesh terroriste ka bërë mbi anëtarët e saj, anuloi rinumërimin e votave. Pra, qenka hedhur poshtë pretendimi se paska pasur tendencë të manipulimit të zgjedhjeve dhe se drejtësia është e kapur”, ka thënë PDK në këtë konferencë për media.
Kjo parti thotë se “ka mjaftueshëm dyshime se kjo ‘drejtësi’ është e terrorizuar dhe e frikësuar nga terroristët e PVV-së. Sepse kjo parti shpif, linçon, frikëson, shantazhon e terrorizon çdo gjë që i del përpara”.
“Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kanë nxjerrë fotografi të zyrtarëve të shtetit, të organeve të drejtësisë dhe të sigurisë, të gazetarëve, duke i shpallur ‘kriminelë’, duke i çnjerëzuar dhe duke i rrezikuar edhe me jetë. Kështu ‘Vetëvendosje’ i ka futur në palcë frikën gjithë atyre që nuk u rreshtohen nga pas. U dëshmua me fakte se zyrtarë të kësaj partie me bërthamë terroriste janë të përfshirë në korrupsion, terrorizëm dhe lidhje mafioze me oligarkë. U vërtetua se anëtarë të kësaj organizate janë terroristë që sulmojnë institucionet e Kosovës me të gjitha mjetet e mundshme”, ka thënë Blerand Stavileci nga kjo parti.
Ai ka thënë se organizata “Syri i Popullit” me listë për likuidimin e 20 vetave, në mesin e tyre politikanë, gazetarë e të tjerë, “na doli të jetë e themeluar nga zyrtarë të ‘Vetëvendosjes’”.
“Anëtari i VV-së Sadri Ramabaja javë më parë u kap duke provuar të ikte ilegalisht përmes Shqipërisë pas ftesës së Prokurorisë Speciale si njëri nga themeluesit e këtij grupi terrorist që po planifikonte vrasjen e 20 personave në Kosovë. Pra, qytetarë të nderuar, po dëshmohet me fakte se ‘Vetëvendosje’, jo vetëm që bënë linçime, shpifje, propaganda, terrorizime, sulme, por edhe lista për likuidim. Ata po arrestohen e më pas po lirohen, sepse gjykatësit ndihen të frikësuar nga këta kërcënues. Militantë të kësaj organizate terroriste nuk u dënuan për djegien e institucioneve dhe për lëndimin e gjakosjen e policëve të Kosovës, sepse ua kanë frikën. E patë sesi i fotografonin dje policët që arrestuan deputetët e PVV-së, sepse kështu ata më pas do të jenë pjesë e sistemit linçues publik”, ka shtuar më tej Stavileci.
Pra, tha Stavileci, “drejtësia e kushdo tjetër që nuk është në linjë me këtë parti sektare frikësohet dhe terrorizohet”.
“Të besojmë se as ky vendim nuk është marrë nën presionin e terroristëve të ‘Vetëvendosjes’. Ne nuk do të ndalemi me kaq. Do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese për ta vërtetuar vullnetin e mirëfilltë të qytetarëve”, ka përfunduar Stavileci.