Nga Alfred Draxler, BILD
Thuhet se Zoti i Futbllit e krijoi këtë lojë të bukur enkas për të.
Edson Arantes do Nascimento, i quajtur Pelé. Askush nuk e di saktësisht pse ky u bë emri i tij. Por ky është emri i futbollistit më të mirë të të gjitha kohërave. Kjo vlen edhe sot, as Kupa e jashtëzakonshme e Botës për Lionel Messi-n në Katar nuk mund ta ndryshonte këtë gjë. Edhe pse shumica prej nesh nuk e kemi parë kurrë të luajë live.
Përkrah Muhamed Aliut, ai ishte ndoshta atleti më i madh dhe më karizmatik që ka parë bota ndonjëherë.
Tostao, kolegu i tij i sulmit kur fituan Kupën e Botës në vitin 1970, pati thënë njëherë: “Nëse do i bashkonit të gjithë talentet e Maradonës, Ronaldos dhe Messi-t, do të kishit një lojtar që do t’i afrohej klasit të Pelésë. Por Pelé do të ishte akoma më mirë”.
Ai u rrit në lagjen e varfër Bauru në perëndim të San Paolos dhe pastronte këpucët në stacionin e trenit. Babait iu desh të përfundonte më herët karrierën e tij futbollistike për shkak të një dëmtimi të rëndë dhe përfundoi pastrues në një klinikë. Nëna ishte larëse rrobash.
Futbolli luhej zbathur. Topi përbëhej nga çorape të lidhura bashkë. Por ai mund ta mbante atë në ajër duke xhongluar për minuta të tëra.
Kur u quajt Pelé, ai mori një kontratë me FC Santos në moshën 15-vjeçare. Në moshën 16-vjeçare ishte një lojtar kombëtar, në moshën 17-vjeçare ishte kampion bote. Deri më sot, më i riu i të gjitha kohërave.
Pas Kupës së Botës 1958, ku ai shënoi gjashtë gola në katër ndeshje, ata filluan ta quajnë ‘O Rei’- mbreti.
Ai fitoi 26 tituj në 17 vjet, shënoi 1301 gola në 1390 ndeshje (mesatarisht 0.94 për ndeshje). Kur u votua për ‘futbollistin botëror të shekullit të 20-të’, nuk kishte asnjë kandidat serioz përveç Pelésë.
Pas vitit 1962, u bë kampion bote për herë të 3-të në vitin 1970, gjë që askush tjetër nuk arriti ta bëjë. Ndonëse vetëm 1.73 metra i gjatë, në finalen kundër Italisë (4-1) ai shënoi në ajër me një goditje me kokë ndaj mbrojtësit të ashpër, Burgnich, i njohur si Shkëmbi. Ai më vonë tha: “Para finales, inkurajova veten dhe thashë me vete, Pelé është prej mishi dhe kockash. Ashtu si unë. Pas ndeshjes e kuptova se kisha gabuar”.
Mitet që rrethojnë Pelénë janë aq legjendare sa duhet të jenë të vërteta:
-Kur ai merrte një goditje të lirë, lojtarët në mur ktheheshin për të parë golin e tij.
-Në vitin 1967, e nxorën nga fusha në Kolumbi. Shikuesit u tërbuan derisa arbitri e nxori sërish nga kabina. Ai u lejua të vazhdonte të luante.
-Në vitin 1969, lufta civile nigeriane u ndërpre për shkak të një ndeshje të Pelésë me Santos. Pas ndeshjes, lufta rinisi.
Sido që të jetë, e vërteta është se ai zyrtarisht ishte shpallur ‘aset kombëtar’ nga qeveria braziliane dhe për këtë arsye nuk mund të lëvizte në Europë. Në miqësoret e shumta të atëhershme Santos merrte 150 mijë dollarë. 50 përqind e tyre shkonin për Pelénë.
Ai ishte një qendërsulmues, një sulmues i varur dhe një organizator loje. Dhe gjithashtu një ‘nëntë e rreme’, edhe pse termi as që ekzistonte në atë kohë.
Pasi humbi pjesën më të madhe të pasurisë së tij nga marrëveshjet e rrezikshme të pasurive të paluajtshme, ai u transferua në Nju Jork në vitin 1975, ku nënshroi një kontratë 3-vjeçare për 4.5 milionë dollarë. 5.3 milionë të tjera si kontrata reklamimi u hodhën në arkat e tij. Me Pelénë, Cosmos arriti papritmas një mesatare frekuentimi në 50 mijë tifozë për ndeshje nga 4 mijë më parë.
Privatisht, Pelé e kaloi pjesën e mbetur të jetës në një vilë pranë Santos me pamje nga Atlantiku. Në moshën 75-vjeçare, u martua për herë të tretë. Marcia Aoki, e lindur në Japoni, ishte 25 vjet më e re.
Nga dy martesat e para kishte pesë fëmijë. Përveç kësaj, Pelé pranoi atësinë për dy vajza të paligjshme.
Pas karrierës së tij, ai themeloi një agjenci të suksesshme të marketingut sportiv. Ai u bë ambasador i vullnetit të mirë të OKB-së dhe ishte Ministër i Sporteve në Brazil në vitet 1995-1998. Pelé u bë një ikon reklamash, përfshirë këtu edhe Viagrën. Pasuria e tij vlerësohet në 100 milionë euro.
‘O Rei’- mbreti ka vdekur! Por futbollisti më i madh i të gjitha kohërave do të jetojë përgjithmonë në mendjet e tifozëve. Ai vetë pati thënë dikur: “Nuk mund ta imagjinoj jetën pa futboll. Shpresoj që futbolli të luhet edhe në parajsë”.
© SYRI.net