Pendarovski: Integrimi i ngadaltë në BE paraqet kërcënim për paqen

Gazetar: Lluka Andreev

Ritmi i ngadaltë i procesit për integrim në Bashkimin Evropian është kërcënim për demokracinë dhe paqen në Ballkan, vlerësoi presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në kuadër Forumit Prespa për dialog. Sipas Pendarovskit, procesi i negociatave do të avancojë demokracinë në vendet kandidate. Ai tha se pritja shumë e gjatë rezultoi në një rënie drastike të mbështetjes për anëtarësimin në Union dhe gjithashtu u pajtua se pa luftën në Ukrainë procesi i zgjerimit nuk do të ishte fokusi i Brukselit.

“Natyrshëm do të vijojë pyetja, çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta në Ukrainë? A do t’i kthehemi mënyrës së zakonshme të funksionimit, që do të thotë më pak vëmendje ndaj Ballkanit Perëndimor dhe rajonit në tërësi, dhe jo vetëm në drejtim të procesit të zgjerimit”, tha Stevo Pendarovski – president.

Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se mesazhet nga partnerët evropianë janë të qarta – Unioni mund të zgjerohet me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030. Ai thotë se çdo vend i rajonit duhet të forcojë përpjekjet e tij reformuese në çdo nivel për të pasur mbështetjen e nevojshme nga vendet e BE-së. Aktualisht, kryeministri Kovaçevski e përkufizon rajonin si një zbrazëtirë gjeostrategjike të Unionit.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e kundërshtojnë përcaktimin evropian. Por secili prej shteteve ka një kapacitet të ndryshëm rezistence ndaj tendencave jodemokratike, të cilat vijnë nga jashtë, kryesisht për shkak të ritmit të ndryshëm të demokratizimit brenda vetë shoqërive. Ky hendek gjeostrategjik është një derë e hapur ndaj erërave që tashmë po lëkundin stabilitetin”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Në forumin e mbajtur në Strugë foli edhe presidenti shqiptar Bajram Begaj, sipas të cilit vitet e fundit për shkak të ngjarjeve gjeopolitike dhe rritjes së pushtetit të, siç tha ai, aktorëve të tretë jodemokratikë në vendet e rajonit, shpeshherë lind dilema – demokraci apo stabilitet? Foli edhe presidenti kroat Zoran Millanoviq, i cili tha se procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor është i gjatë në mënyrë poshtëruese dhe kritikoi institucionet evropiane. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme