Për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maji, në Shkup po organizohen jo një, por pesë protesta, pas të cilave qëndrojnë Shoqatat sindikale, Organizatat qytetare dhe partitë politike. Destinacioni i tyre përfundimtar është godina e Qeverisë, ku do t’i dërgojnë kërkesat e tyre konkrete për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve. Sindikalisti Peco Grujovski, thotë se më mirë është që të ketë një protestë më masive, sesa disa protesta të ndara dhe të vogla.
“Me të vërtetë do të isha shumë i lumtur që të paktën në këtë 1 Maj të organizoheshim bashkë për ta shënuar festën. Qëllimi i të gjitha sindikatave është i njëjtë – realizimi i të drejtave të punëtorëve. Mendoj se çdo sindikatë, konfederatë apo union, në qoftë se Sindikatat kanë pasur ndërmend të bashkohen këtë vit, duhej që përgatitjet t’i fillonin shumë më herët. Mendoj se kanë vonuar pak. Shpresoj se më në fund, vitin e ardhshëm do të unifikohen për shënimin e 1 Majit, por edhe për angazhimet për të drejta më të mëdha për punëtorët”, tha Peco Grujovski, DOGJSH.
Në asnjë mënyrë nuk duhet të rritet kufiri për dalje në pension, reaguan njëzëri sindikalistët. Edhe pse ministrja e punës dhe politikës sociale, deklaroi se tani për tani nuk do të ndryshohet kufiri i moshës, megjithatë sindikalistët thonë se nga afër e ndjekin gjendjen dhe se do të reagojnë ashpër, në qoftë se prapë aktualizohet kjo çështje.
“Ajo është e vetëdijshme se ka revolt të madh mes qytetarëve lidhur me këtë çështje dhe në qoftë se dikush nga Qeveria thoshte se do të rritet kufiri i moshës, kjo do të thotë se më 1 maj do të ketë protesta masive. Por, raporti që ata e presin, dhe i cili kinse do të duhet të japë vlerësim objektiv mbi gjendjen financiare të Fondit Pensional, akoma nuk është publikuar, që do të thotë se ka mundësi që ministrja pas 1 majit të tregojë, ne po përpiqemi maksimalisht për ta mos rritur kufirin e moshës, por faktet flasin ndryshe. Faktet flasin se Nikola Gruevski i ka ulur kontributet për sigurim pensional dhe invalidor, nën cilëndo qëndrueshmëri të sistemit pensional”, tha Zdravko Saveski, “E Majta”.
Sindikalistët, do të kërkojnë nga pushteti që të sillet Ligj i ri për Marrëdhënie Pune, sepse siç thonë, gjendja me të drejtat e punëtorëve asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më katastrofale.
“Qytetarët po vuajnë sepse stacionet policore janë të zbrazura. Në MPB-në ka padrejtësi sa u takon të punësuarve, në pjesën e dhënies së shërbimeve për qytetarët, kurse nga ana tjetër kemi zyra të stërmbushura me të punësuar”, tha Goce Dellçev Todev, sindikatë e pavarur e policisë.
Në të kaluarën, derisa në krye të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë ishte Zhivko Mitrevski, qëndrimi i Sindikatës ishte të mos organizohen protesta, por të drejtat e punëtorëve të përmirësohen në tryezë përmes negociatave me pushtet. Pasi, Darko Dimovski, u bë njeriu i parë i Sindikatës, ai personalisht paralajmëronte se të gjitha organizatat sindikale do të bashkohen në një të vetëm, por fakti që për Ditën e Punëtorëve organizohen pesë protesta nga liderë të ndryshëm të sindikatave, flet se Lidhja e Sindikatave në vend është larg unifikimit./RTV21