Për çfarë do ta mbajnë në mend shqiptarët vitin 2017!

Xhevdet POZHARI

Editorial i Sakte.net

“Koalcioni dhe qeveria e territ”
Fundi i vitit 2017 do të mbahet mend për përpjekjen e orëve të vona që koalicioni aktual qeverisës në Kosovë e ndërmori për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, të njëjtat parti që lidhën koalicion 5 minuta para mesnatës që mezi të dilnin koalicioni fitues, apo siç do të njihej “koalicioni i territ”. Dhe, kjo nofkë thuajse e përcjellë edhe vetë këtë qeverisje e cila paralajmëroi krizën energjetike, me çka kosovarëve do t’ua kthejë reduktimet. Paralelisht me mungesën e energjisë elektrike, u paralajmërua edhe shtrenjtimi i saj; e që në fund Kryeministri aktual të paraqitej si “shpëtimtar” duke kërkuar që një gjë e tillë mos të ndodhte në fund të vitit. Por, çuditërisht askush nuk e falënderoi. Përkundrazi, qytetarët përmes protestave i dhanë përgjigjen me moton “As një cent më shumë”! Madje, në fund të vitit, pasi që e justifikoi dyfishimin e pagës së tij me blerje të gardërobës, kryeministri Haradinaj morri edhe kravata të shumta si donacion nga qytetarët. Simbolikisht, këto kravata që u bënë edhe temë e medieve botërore, paraqesin edhe lakun që shtrëngon për fyti qytetarët, lak i cili ata i shtrëngon varësisht sa pushtetarët pasurohen.

Në mendje, për 100 ditët e qeverisjes, Kryeministri gjithashtu do të mbahet mend edhe për “zemërgjerësinë” e tij për faljen e borxhit prej 60 milionë eurove ndaj ambalazhuesve të ujit. 63 milionë euro u deklarua se u humbën edhe nga penalizimet që kompania Bechtel Enka kërkoi për vonesa në procedurat për ndërtimin e autostradës që e lidh Prishtinën me Shkupin. Miliona të avulluar para syve tanë.
Kryeministri i cili u bë temë diskutimi edhe për emërimin e më shumë se 70 zv/ministrave në afat rekord, do të mbahet mend se vitin 2017 e nisi si i arrestuar me një fletarrest të Serbisë në Francë, ndërsa është duke e përfunduar si njeriu më i përfolur për gafet e tij, që disa i konsiderojnë edhe si të qëllimshme që i shfrytëzon për shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit, veçanërisht për ikjen nga tema e demarkacionit që drejtpërdrejtë ndërlidhet edhe me liberalizimin e vizave.

Rama, Tahiri dhe mortaja e bardhë në Shqipëri
Por, natyrisht se Haradinaj do të mbetet në hijen e homologut tjetër shqiptar, Edi Rama. Por edhe paradat e Ramës me atlete dhe veshje të pazakonshme në takime të rëndësishme me liderë botëror, si dhe shout e tij mediatik, do mbeten nën hijen e super skandalit ku ishte i përfshirë ish ministri i tij i brendshëm, Saimir Tahiri. Droga, narko trafiku, atentatet dhe vrasjet e shumta do të zbehnin shkëlqimin e një kryeministri që më shumë u shqua për grindje dhe arrogancë, madje edhe me komentet në rrjetet sociale, sesa me ndonjë arritje e cila do të ndryshonte qenësisht jetën e qytetarëve të Shqipërisë, një pjesë e të cilëve ishte e pafuqishme ta luftonin propagandën kryeministrore nga tendat që qëndruan muaj me radhë në sheshin kryesor të Tiranës. Dhe kjo pafuqi kulmoi edhe me sulmin fizik që udhëheqësja e LSI – së e bëri ndaj kryeministrit Rama, gjë që më shumë i shërbeu një politikani që gradualisht, por sigurtë, është duke shtrirë një lloj të ri diktature, ku secili duhet të mbetet nën hijen e tij. E, derisa deri më tani ka qenë Serbia shteti i cili vuan nga “mortaja e bardhë”, sipas institutit të statistikave, tash edhe Shqipëria ka filluar të rrudhet me ritme të frikshme teksa numri i lindjeve vazhdon të bjerë në mënyrë të pandalshme.
Vetëm në tremujorin e tretë të vitit që po lëmë pas, numri i lindjeve u ul me 20.7 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pakësimi i lindjeve në tremujorin të tretë shfaqet si një tendencë disavjeçare tashmë e shndërruar në shqetësim madhor për natalitetin e Shqipërisë. Kishte qenë viti i kaluar që kishte shënuar nivelin më të ulët të lindjeve në Shqipëri për thuajse 100 vjet. Sipas INSTAT, për gjithë vitin 2016 në Shqipëri u lindën vetëm 31 mijë e 700 fëmijë, çka përbën shifrën më të ulët që nga viti 1930 kur shteti shqiptar krijoi për herë të parë regjistrin civil dhe filloi të regjistrojë të dhënat demografike.
Por rekordi negativ i 2016-ës, sipas të dhënave të fundit, është përkeqësuar edhe më tej në vitin 2017, pasi për nëntë muajt e parë, numri i lindjeve ka rënë me 3.300 krahasuar me vjet. Nga Banka Botërore konstatohet se Shqipëria është duke u përballur me një krizë të paprecedentë demografike duke shënuar rënien e tretë më të shpejtë të lindshmërisë që është regjistruar ndonjëherë në historinë botërore, pas Koresë dhe Rusisë. E, nëse shtohet emigracioni masiv tek të rinjtë, rënia e lindjeve po sjell plakjen dhe rrudhjen e shpejtë të popullsisë shqiptare, një fenomen që ka pasoja jo të vogla për të ardhmen e ekonomisë dhe financave të shtetit.

Shqiptarët e Maqedonisë me sundues të ri – LSDM, të cilës i nënshtrohen shëbëtorë të vjetër
Viti 2017 nuk do të mbahet mend vetëm si vit i zgjedhjeve, të përgjithshme dhe lokale thuajse gjithandej ku ndodhen shqiptarët. Fundi i këtij viti thuajse përmbysi të gjitha shpresat e fillimvitit, veçanërisht në Maqedoni! Derisa u proklamua me pompozitet qeverisja reformatore që u krijua edhe në saje të numrave që i siguruan Aleanca për Shqiptarët, kjo e fundit përfundimisht hoqi dorë nga partneriteti me partinë maqedonase, LSDM, e cila grumbulloi vota shqiptare thuajse sa edhe vetë partitë shqiptare, madje duke mos ua premtuar as zyrtarizimin e gjuhës shqipe.
Në vend të forcave të reja politike shqiptare, LSDM ndoqi rrugën e VMRO – DPMNE’së e cila sundimin e saj për më shumë se një dekadë e siguroi falë politikës vasale të BDI – së. Dhe, LSDM zgjodhi që në zgjedhjet lokale t’i përkrahë publikisht dhe institucionalisht shërbëtorët e zellshëm, BDI – në e cila në të kaluarën ishte bashkënënshkruese e çdo projekti anti – shqiptar, ndërsa tani ka vetëm hallin e të qëndruarit në pushtet, gjë që disave nga paria e saj ua siguron lirinë.

Zgjedhjet lokale dhe “msyshi” i Vetëvendosjes!
Fundi i vitit 2017 dëshmoi edhe paparashikueshmërinë e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ku pushteti ndryshoi në shumë komuna, veçanërisht në ato që njihen si komuna të mëdha. Derisa BDI – në e shpëtoi LSDM, PDK’ja në Kosovë nuk e kishte atë fat dhe humbi dhe bastionin e saj, Prizrenin, i cili zgjodhi kryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe, po aq sa ishte befasi kjo fitore, po ashtu i befasishëm ishte edhe rezultati final në Prishtinë ku Vetëvendosje për pak do ta humbte pushtetin, pavarësisht se në fillim të garës Shpend Ahmeti konsiderohej si fitues absolut.
Ende pa u përmbyllur mirë ky proces zgjedhor dhe pa filluar zyrtarisht mandatin kryetarët e komunave, ndodhi edhe tërmeti përbrenda Lëvizjes Vetëvendosje që deri vonë konsiderohej si subjekti opozitar më i konsoliduar dhe i unifikuar. Pretendenti për kryetar të ardhshëm të kësaj VV-së, Albin Kurti, nga burgu do të ishte i detyruar ta shihte kundërshtimin që bashkëpartiakët e tij do ta shfaqnin ndaj kandidaturës së tij në krye të kësaj Lëvizjeje, qoftë drejpërdrejtë apo përmes heshtjes. Si rezultat doli që Visar Ymeri dhe Albin Kurti qëndrime të njëjta ndanin vetëm kur deklaroheshin për situatën e rëndë të shqiptarëve të Maqedonisë.

Humbje e vitit
Viti 2017 shënon edhe shuarjen e njërit prej kolosëve të letrave, Dritëro Agollit. Për ironi, ky vit shënon edhe vandalizmin e varrit të Faik Konicës. Nga jeta gjatë vitit 2017 do të ndahej edhe një ish ministër që u bë prototip i politikanit të ditëve të sotshme, Dritan Prifti, njeri i cili u bë i njohur në publik për afera të ndryshme, kërcnime dhe shantazhe të cilat mbajtën të gozhduar para ekraneve opinionin shqiptar, derisa nuk u shfaq skandali i drogës që lakonte drejtpërdrejtë emra të fuqishëm të kabinetit të kryeministrit Edi Rama. Nga jeta në vitin 2017 u nda edhe Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e diktatorit Enver Hoxha, e cila sikur morri me vete edhe kujtimet e fundit të një diktature të errët në Shqipëri, për t’i lënë shkëlqimin e plotë një diktatori të ri në ngritje.
Viti 2017 do të mbahet mend edhe për kundërshtimin e hapur të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me rezultën për Jerusalemin, gjë që ndau publikun në dy taborre në raport me veprimet e shtetit më të fortë në botë, i cili në vitin 2017 mbeti edhe pa filantropin David Rockefeller, trashëgimtar i njërës prej familjeve më te famshme dhe më me ndikim në SHBA. Shtet, i cili tani udhëhiqet nga një multimilarder tjetër!

Gratë shqiptare, heroinat që ia zbardhën fytyrën kombit
Fitusja e medaljes olimpike, Majlinda Kelmendi, në vitin 2017 shënoi fitoren e parë në Botërorin e xhudos duke e bërë këtë sport tejet popullor në Kosovë dhe duke mbërthyer para ekraneve shikues të shumtë që as ia kishin haberin rregullave të këtij sporti, por që kishin vetëm një dëshirë – fitoren e shqiptares nga Kosova, që i përfaqësonte me dinjitet dhe sukses shqiptarët në të gjithë botën. Një tjetër shqiptare nga Kosova arriti majat e suksesit. Dua Lipa, shpërtheu kufijtë e tregut ndërkombëtarë dhe me muzikën e saj arriti në majat e rang listave më serioze botërore.

***
Rrjedhimisht, sa më shumë që izolohen shtetet ku jetojnë shqiptarët, pasurohen prijësit e “vilajeteve shqiptare”, vazhdon boshatisja e tokave që shndërrohen në varreza masive të ëndrrave rinore, ndërsa parajsë për ata që e kanë kapur çdo institucion shtetëror duke prodhuar shtet – parti, një diktaturë moderne që dallon në nuanca nga diktaturat e mëparshme, por prodhon thuajse rezultat të njëjtë: vlen vetëm për aq sa vendos partia, në një kohë kur matësit e vlerave janë ata që rrënuan thuajse gjithçka të sotshme dhe përpiqen ta gllabërojnë edhe të nesërmen tonë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme