Për çfarë telefonoi në KMDLNj zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), është shprehur kundër standardeve të dyfishta të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

“Dje, pas raportimit të disa medieve, pas reagimit të KMDLNj- së, AAK-së, Nismës dhe reagimeve tjera për ndërhyrjen e shefes së Zyrës së BE-së, znj. Natalyia Apastolova për Asociacioni e Komunave me shumicë serbe, po kjo zyrë e dërgoi një ‘sqarim’ se zonja Apostolova qenka keqkuptuar për shkak të përkthimit të dobët. Për një ndërhyrje për të cilat raportuan mediet fajin e paska përkthimi i keq që aspak nuk është e besueshme. Në ndërkohë, në numrin zyrtar të KMDLNj-së u lajmërua një zë femre e cila u deklarua se është zëdhënëse e Zyrës së zonjës Apastolova duke akuzuar me një prepotencë KMDLNj-në për raportim joprofesional dhe përhapje të lajmeve të rrejshme. Gjatë komunikimit zonja në fjalë ishte arrogante, imponuese dhe kërcënuese duke kërkuar që KMDLNj-ja menjëherë të dalë në një përgënjeshtrim të reagimit në kohën kur ende nuk kishte sqarim zyrtar të Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe i cili u bë publik vetëm kah ora 18:00. Gjatë tërë kohës shumë medie raportonin për ndërhyrje të zonjës Apostolova që kërkonte themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përkundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që konstaton 24 shkelje të Kushtetutës së Kosovës në Marrëveshjen e Brukselit për themelimin e këtij Asociacioni. Thirrjen telefonike të një zyrtareje të Zyrës së BE-së në Prishtinë, pa u bërë publik qëndrimi zyrtar i kësaj zyreje, KMDLNJ-ja e konsideron si kërcënim, shantazhim dhe abuzim të atyre që duhet ta mbrojnë transparencën, llogaridhënien dhe pavarësinë e institucioneve”, është thënë në njoftimin e KMDLNj-së. Sipas këtij njoftimi, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë e ka bërë pikërisht të kundërtën duke e përdorur kërcënimin në vend të argumentit. “Është e papranueshme që thirrjet telefonike, para se të bëhet publik qëndrimi zyrtar të përdoren si mjet bindjeje ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Zyra e BE-së përkatësisht disa zyrtarë të saj, të pajisur me imunitet dhe në mungesë të llogaridhënies i japin veti të drejtë të bëjnë ç’të duan duke zbatuar standard të dyfishta për çështje që ekskluzivisht i takojnë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nëse nuk do të kishte reagime për ata çka tha zonja Apostolova, sigurisht as zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë nuk do të telefononte KMDLNj-në për t’i caktuar detyra se si duhet të veprojë me reagimet që i bënë. Çdo vazhdim i themelimit të Asociacionit duke shpërfillur e vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet e Kosovës është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Për KMDLNj –në është i çuditshëm fakti se ka aq nguti për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kurse mohohet e drejta e transformimit të FSK-së në forcë mbrojtëse sikur që kërkohet që Kosova të zbatojë vendimin e Gjykatës së Kosovës për tokat rreth Manasitirit të Deçanit kurse kundërshtohen vendimet e po kësaj Gjykate Kushtetuese që gjen 24 shkelje të Kushtetutës së Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për çka zonja Apostolova angazhohet me aq përkushtim duke kërkuar që kjo të bëhet sa më shpejt. Ku shihni këto parime dhe standarde të njëjta për të gjithë !?”, është thënë në këtë njoftim.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme