Gazetar: Adrian Kerimi
Ministria e Brendshme nuk ka ngritur kallëzim penal kundër Drin Ahmetit, nipi i kreut të BDI-së Ali Ahmeti i cili mbrëmë u arrestua mbi dyshimet për posedimet e sasisë së madhe të mjeteve piroteknike. Policia njofton se në koordinim me prokurorin është njoftuar organi i akuzës nga ku duhet të veprohet më tej. Prokuroria Publike ka vlerësuar se për arritur deri tek vërtetimi i veprës së mundshme penale duhet bërë ekspertizë e provave, përkatësisht e mjeteve piroteknike.
“Varësisht nga faktet që do të vërtetohen gjatë ekspertizës së mjeteve piroteknike të sekuestruara, prokurori publik do të vendos për rrjedhën e mëtejme të procedurës”, thonë nga Prokuroria Publike.
Drin Ahmeti që në fakt është njëri nga pronarët e QT “Soravia” mbrëmjen e kaluar përfundoi në pranga si rezultat i posedimit të mjeteve piroteknike. Sasia që sipas fotografisë të cilën e ka publikuar policia jo zyrtarisht rezulton deri 750 copa, vlera e të cilave arrijnë në disa mijëra euro. Mjetet janë gjetur në veturën e tij të llojit Range Rover me targa të Shqipërisë e cila nga njësitet policore është ndaluar pak metra poshtë objektit të Ambasadës Amerikane, rrugës që çon drejtë Kalasë së Shkupit.
Drin Ahmeti ishte figurë e panjohur për opinionin vendas, derisa pa pritur rezultoi të jetë njëri nga pronarët e QT Soravia me 39% të aksioneve në të. Në deklarimet e tij, Ahmeti kishte shpjeguar se Soravian e ka blerë bashkërisht me një biznes partner nga Shqipëria, Vladimir Pjetër Gjoka, përkatësisht Ahmeti nuk kishte dhënë asnjë qindarkë nga buxheti i tij për Soravian por atë e kanë blerë përmes linjës kreditore të siguruar mbi bazën e biznes idesë të cilën ia besuar banka. Ata kanë marrë përsipër edhe shlyerjen e borxhit. Për mënyrën e blerjes dhe dyshimet e ngritura në opinion, Anti-Korrupsioni dhe Prokuroria e krimit të organizuar kishin paralajmëruar shqyrtim dhe hetim të rastit, por deri ani asgjë konkrete nuk ka dalë nga këto institucione./Alsat.mk