Të dhënat e publikuara nga Instituti Meteorologjik i Mbretërisë së Belgjikës në lidhje me kushtet atmosferike për periudhën 1 janar 2017, 30 janar 2018, kanë treguar se prania e dritës së diellit në vend është regjistruar në shkallë shumë më të ulët sesa mesatarja e përgjithshme.
Në muajin dhjetor, Belgjika ka parë vetëm dhjetë orë e 31 minuta diellin, duke përjetuar muajin “më të errët” që nga viti 1934, kur sipas institutit dukshmëria e diellit ka qenë vetëm 9.3 orë, transmeton Anadolu Agency .
“Dukshmëria e diellit në periudhën 1 dhejtor – 30 janar në Belgjikë ka qenë 30 orë e 26 minuta”, ka deklaruar Instituti meteorologjik.
Ekspertët vlerësojnë se mungesa e dritës së diellit, duke shkaktuar mungesë të vitaminës D, ka hapur rrugën për depresion, lodhje dhe rritje të rrezikut për infektime.
Ata thonë se 50 për qind e popullsisë belge ka mungesë të vitaminës D, duke shtuar se 80 për qind e kësaj vitamine sigurohet nga rrezet e diellit ndërsa 20 për qind nga ushqime si peshku, vaji i peshkut dhe e verdha e vezës.