Me vendimin e Arabisë Saudite për të zbutur kufizimet kundër pandemisë së koronavirusit (COVID-19), për herë të parë në Xhaminë e Madhe në Mekë u fal namazi i sabahut me safe (radhë) të bashkuara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në llogarinë Twitter të Ministrisë së Haxhit dhe Umres të Arabisë Saudite, shihet se si mijëra njerëz që erdhën për t’u falur në Mesxhid al-Haram qëndruan në radhë të bashkuara pas rreth një viti e gjysmë.
Postimi me përshkrimin “Namazi i parë i sabahut pas lehtësimit të kufizimeve” përfshinte fotografi të mijëra muslimanëve që faleshin drejt Qabes.
Më 15 tetor, agjencia saudite e lajmeve SPA njoftoi se që nga 17 tetori, personat që kanë marrë dy doza të vaksinës mund të faleshin në Mesxhid al-Haram dhe Mesxhid al-Nebevi.
Më herët, autoritetet saudite njoftuan se në vend pranohen gjashtë vaksina: BioNTech/Pfizer, Astra Zenca, Moderna, Johnson&Johnson, Sinovac dhe Sinopharm.