Për kë e ka fjalën Thaçi kur flet për dhunën, VV-në, AAK-në apo veten

Që nga paslufta, një gjendje shoqërore na ka përcjellë pa ndalë. Jeta përbri sekreteve publike. Sekret publik në Kosovë është hajnia e filan zyrtarëve; sekret publik është haraçi i aksh politikanit; mënyra e pasurimit të zyrtarëve; kërcënimet; shantazhet; dallaveret; tenderët, etj. etj..

Një nga sekretet publike të mirënjohura është edhe inkompetenca e Presidentit të vendit. Dhe jo vetëm. Përveç inkompetencës, dihet sheshit që Presidenti në vazhdimësi e ka shkelë Kushtetutën e vendit. Në nenin 88, pika 1 të dokumentit të parë të shtetit thuhet “Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik”.

Dhe këtë dispozitë kushtetuese Hashim Thaçi jo që e shkelë, por e shtypë me të dy këmbët. Ai, edhe pas zgjedhjes në krye të vendit, vazhdon të bashkë-drejtojë Partinë Demokratike të Kosovës. Si bashkëdrejtues, ai ka funksion brenda partisë, dhe duke qenë se partia i përket çështjeve publike dhe jo private, i bie që përveç detyrës së Presidentit, Hashim Thaçi de facto ushtron funksion të dytë publik. Dhe poqëse ky do të ishte vetëm sekret publik, ndoshta do të normalizohej e injorohej. Mirëpo, sjellja e Presidentit në periudhën pas zgjedhjeve kombëtare është skandaloze, dhe qartazi antikushtetuese, rrjedhimisht është e rrezikshme të injorohet.

Jo më larg se dje, në një intervistë për Zërin e Amerikës, personi në fjalë deklaroi se ndër të tjera, ekziston një grup njerëzish të cilëve ai ka vendosur t’ua mohojë të drejtën e udhëheqjes së qeverisë, thuajse jetojmë në Turqinë e Erdoganit. Më saktësisht, ai thotë: “…por, duhet ta potencoj se në kuadër të këtyre parimeve mbizotëruese, një prej parimeve kryesore do të jetë në kuadër të diskrecionit edhe timin, është se njerëzit që kanë përdorur dhe që përdorin dhunë për realizimin e qëllimeve politike nuk do të mund të jenë bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës”. Dhe një deklaratë e tillë bëhet ekskluzivisht në shërbim të planeve dhe strategjive të PDK-së për zaptim të sërishëm të pushtetit.

Si pikë e parë, Presidenti i Republikës së Kosovës nuk e gëzon diskrecionin nga paria e fshatit Burojë, por nga sovrani dhe dokumentet shtetërore. Ky diskrecion nuk mund të përdoret as më pak e as më shumë sesa për qëllim të ruajtjes së unitetit të popullit, sigurimit të stabilitetit demokratik të institucioneve dhe respektimit të vullnetit të popullit.

Dhe ndonëse është naive të pretendohet që nuk dihet për kë e ka fjalën z. President, pyetja që shtrohet pashmangshëm është: kush janë këta njerëz? A po i drejtohet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe veprimeve të vitit që shkoi të kandidatit për kryeministër nga ana e PAN? Këto veprime Haradinaj i bëri në bashkërendim me Lëvizjen Vetëvendosje. Kështuqë, a është Lëvizja subjekti i nënkuptuar? Nuk është fare spekulative të thuhet se Presidenti kishte në mendje Lëvizjen Vetëvendosje, dhe vetëm ai e din se me cilën logjikë e ndanë AAK-në nga Lëvizja në këtë nënkuptim. S’është si të jetë ndryshe, meqë nëse ta zëmë e ka fjalën për përjashtim të këtyre dy opsioneve, atëherë po i bie që AKR të jetë bartëse e institucioneve. Labinot Tahiri Kryeministër.

Apo ndoshta Presidenti ynë është aq kritik dhe objektiv ta kuptojë se kush është dhunuesi i vërtetë në këtë mes. Deputeti Frashër Krasniqi në një debat në Info Magazinë e thotë mirë definicionin e dhunës në Kosovë. Po i përsëris fjalët e tij. “Dhuna e vërtetë është me i detyru mbi 100 mijë qytetarë me e lëshu Kosovën, për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe sociale. Dhuna e vërtetë është me i detyru qytetarët me kanë pjesë e partisë politike – PDK ose LDK – për me mujtë me hi n’punë. Dhuna e vërtetë është me i shti njerëzit pa konkurs veç pse është anëtar i partisë s’tyre. Dhuna e vërtetë është me manipulu me krejt tenderat, me i ba milionat. Dhuna e vërtetë është me i rrejtë qytetarët që kena me ua kriju 200 mijë vende të reja pune”.

Ta zëmë se Presidenti e ka pasë fjalën për dhunë të manifestuar direkt dhe në kuptimin fizik. Pikërisht për realizimin e qëllimeve politike, Hashim Thaçi i pati pri Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Komandant Suprem Politik i saj. Dhe për aq sa e dimë të gjithë, UÇK-ja nuk njihet për përdorim të argumenteve dhe rezistencës paqësore për arritjen e qëllimeve politike të saj. Rrjedhimisht, Thaçi përmes deklaratës së tij e delegjitimon gjithë karrierën e vet politike të pasluftës dhe do duhej të jepte sot dorëheqje nëse i qëndron pas fjalëve të tij.

(Autorja ka kryer studimet Master në Shkenca Politike dhe Studime Gjinore në Universitetin e Missourit, SHBA. Fokusi i saj janë lëvizjet dhe dhuna politike. Opinionet e shprehura në këtë artikull jo domosdoshmërisht përfaqësojnë qëndrimet e redaksisë)

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme