Personi që tentoi ta vriste Azem Vllasin në mëngjesin e së hënës, Murat Jashari, vëllai i komandantit Ismet Jashari, në shkrimet e tija të publikuara në librin e tij “Lufta e Pambaruar – Ballë për ballë me komplotistët”, i ka cilësuar të gjithë protagonistët e skenës politike që prej viteve 80-ta deri sot i cilëson si tradhtar që duhej vrarë.
Por janë dy personalitete që sipas tij, duhet mbetur gjallë dhe duhet dhënë drejtimi i shtetit dhe shqiptarëve.
Në librin e tij ai shkruan se personalitetet të cilët nuk e kanë tradhtuar vendin e tyre, janë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Madje ai mendonte se Haradinaj dhe Kurti duhet të bashkohen për t’i hequr nga Kosova, siç thotë ai “të gjithë tradhtarët”.
“Ramushit i bie më mirë që të shkojë tek Albini në Vetëvendosje bashkë me ish ushtarët e lirisë dhe të qëndrojë sa më larg personave që kanë pasur lidhje miqësie e biznesi me Arkana e serbë të Millosheviçit, Sheshelit, Nikoliçit e Daçiçit”, shkruan ai.
E Kurtin e cilësonte si pasardhës të Lëvizjes Popullore të Kosovës.
“Albin Kurti dhe Lëvizja legale –LPK, kjo e fundit shumë dinake dhe shumë frikacake, duhet pushtetarëve pa pushtet me ua gërditë jetën dhe mos me u dhënë ajër të Kosovës me thithë! Lëvizja VV duhet t’i përdorë të gjitha format për t’i larguar nga pushteti këta horra, kodosha e dilinxhinjë, frymorë me dy këmbë, me surrat njeriu. Mundësisht edhe nga toka e shenjtë shqiptare duhet larguar!”, shkruante Jashari.
Jashari u arrestua të mërkurën pasi tentoi të vriste avokatin Azem Vllasin, të cilin tha se kishte në plan ta vriste dhe se këtë e ka bërë si pjesë e një grupi të madh të cilët janë angazhuar të “vrajnë të gjithë tradhëtarët”./Insajderi.com