Aksioni i Njësitit Rajonal të Trafikut Rrugor në Prishtinë, për gjobitje të vozitësve të cilët nuk kanë ulëse të sigurisë për fëmijë nën moshën 12 vjeçare, po mirëpritet edhe nga vet vozitësit.
Brenda një jave Policia ka shqiptuar 26 gjoba për mungesë të ulëseve të sigurisë për fëmijët nën moshën 12 vjeçare, e këtë po e mirëpret qytetari Fehmi Gubetini, i cili është shprehur se këto dënime janë në favor të sigurisë së fëmijëve.
“Kjo është ligj në favor të familjes për fëmijë, në favor të vetvetes për me vendos rripin e sigurisë dhe çdo gjë shkon në rregull, nëse nuk e vendos, dënimi pason dhe ka plotësisht drejt Policia”, tha Gubetini.
Gjatë një aksioni të Policisë, zyrtari policor Fadil Tashevci, shqiptojë një gjobë prej 300 eurove dhe masën mbrojtëse ndalimi i të drejtuarit të mjetit në kohëzgjatje prej katër muaj për një drejtuese të automjetit që fëmijën 5 vjeçar e kishte pa ulëse të sigurisë.
E drejtuesja e automjetit tha ta ketë kuptuar gabimin e saj dhe që nuk do të ndodhë më që fëmijën ta këta pa ulëse të sigurisë.
“Për ulëse që fëmija juaj nuk e kishte ulësen përkatëse e keni një gjobë që është nga policia rrugore e trafikut…..”.
U gjobitën gjatë aksionit edhe shofer që nuk kishin të vendosur rripin e sigurisë, ku një nga ta ishte edhe Halim Regjbeqaj, i cili tha se nuk do të drejtojë më mjetin pa vendosur rripin e sigurisë.
“Kjo është ndalesë e rregullt, nuk do ta përsërisë më… patjetër duhet vendosja e rripit sepse është rrezik mos me vendos, duhet me e vendos patjetër çdoherë”, tha ai.
Në bazë të ligjit për rregullat e trafikut rrugor fëmijët nën moshën 12 vjeçare duhet të jenë të siguruar me ulëse të sigurisë për fëmijë, e në rast se shoferi i mjetit nuk ka ulëse të sigurisë për fëmijë dënohet për kundërvajtje me gjobë nga 100 deri në 300 euro.
Po ashtu, shoferit i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit në kohëzgjatje prej tre deri në gjashtë muaj.
Rreshteri Arsim Gollubovci, për KosovaPress ka treguar se prej kur ka filluar ky plan operativ është vërejtur një vetëdijesim i shoferëve lidhur me posedimin e ulëseve të sigurisë për fëmijët.
“Javën e kaluar nuk ka pasur aq shumë gjoba për ulëse, sepse sado pak kanë qenë edhe të informuar qytetarët, kështu janë shqiptuar 26 tiketa për ulëset e fëmijëve… Shihet një vetëdijesim i qytetarëve, shihet se është stabilizuar me krahasuar me vitet e kaluara në këtë plan operativ veçse janë të informuar qytetarët dhe në shumicën e rasteve kur ndalohen e dinë se nuk bënë me i ulë fëmijët përpara. Për ata të cilët nuk janë të interesuar me respektua ligjin pasojnë gjobat. Gjobat janë shumë të mëdha, gjobat janë nga 100 deri në 300 euro dhe përpos gjobës janë edhe pikët negative të cilat vazhdon prej tre muajve ndalës të patentës së shoferit deri në gjashtë muaj”, tha ai.
Përveç atyre që nuk posedojnë ulëse të sigurisë për fëmijë edhe personat që përdorin telefonat gjatë vozitjes dhe nuk vendosin rripin e sigurisë do të gjobiten nga Policia në bazë të rregullave që parasheh ligji për trafikun rrugor.
Rreshteri Gollubovci ka treguar se për një javë janë shqiptuar 26 gjoba për mos vendosje të rripit të sigurisë.
“Për rripin e sigurisë janë gjobat 40 euro, do të thotë javën e kaluar janë shqiptuar 230 gjoba. Ndërsa, për telefon janë shqiptuar 30 gjoba për përdorim të telefonit, për këtë ka pasur bajagi shumë gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes. Por, edhe këtë e kanë kuptuar qytetarët dhe sado pak është zvogëluar ky numër i gjobave”, tregoi ai.
Që nga fillimi i këtij aksioni në dyqanet që shesin ulëse të sigurisë për fëmijë është shtuar numri i kërkesave për blerje.
Kështu në dyqanin “Chipolino” javët e fundit ka pasur më shumë kërkesa sesa zakonisht. Albion Haxhiu, nga ky dyqan për KosovaPress ka treguar se çmimet për ulëse të fëmijëve fillojnë nga 59 euro deri në 299 euro.
Po ashtu, ai ka treguar se sa janë të domosdoshme ulëset e fëmijëve në veturë për shkak të sigurisë së fëmijëve gjatë vozitës.
“Ka pasur një interesim pak më të madh pas atij aksionit që e ka ndërmarrë policia ka pasur një interesim pak më të madh, por jo ashtu me vërejt në masë të madhe… I kemi këto modelet e reja me ISOFIX, këto janë modelet e reja që montohen veç në këto modelet e reja të kerreve, po mendoj e kanë sistemin ekstra për kerret e reja dhe janë këto me rrip normal. Këto me ISOFIX është një sistem më i avancuar i sigurisë, këto të tjerat janë disa lloje që e kanë mbrojtjen prej ndikimeve anësore janë disa me shtresa ekstra. Përndryshe këto të tjerat lidhen me rripa normal dhe fëmija është i sigurt”, tha ai.
Policia rrugore edhe më herët kishte ndërmarrë veprime të tilla për të parandaluar aksidentet në komunikacion.