Vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti në të gjithë Kosovën janë raportuar 6 mijë e 199 raste të dyshimta me grip. Ndërkohë që nga muaji tetor e deri në shkurt në të gjithë vendin janë paraqitur 44 mijë e 705 raste me grip.
Këto të dhëna i ka dhënë sot Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend. Megjithëse numrit të rasteve, IKSHP thekson se gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologji ka rënë intensiteti i rasteve të gripit sezonal.
“Nga 01 tetori deri më 20 shkurt 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 44.705 raste të dyshimta në grip, 4177 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 84 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute). Gjatë javës 07– të 2018 janë raportuar 6199 raste të dyshimta në grip, 245 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 10 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute). Në laboratorët e Qendrës Kombëtare të gripi, në Institutin Kombëtar prej fillimit të sezonit
të gripit, 218 persona kanë rezultuar pozitive në Influencë. Sipas tipit, 92 raste janë pozitive në Influencën A dhe 126 në Influencën B. 26 raste i takojnë subtipit A(H1)pdm09 dhe 66 raste tjera janë A të pa subtipizuara. 126 raste të konfirmuara i takojnë tipit B, 48 prej tyre janë subtipi Yamagata (“GripiJaponez”)”,thuhet në të dhënat e Institutit Kombëtarë.
Tutje, ky institucion shëndetësor ka lavdëruar vetën duke thënë se rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar kanë rezultuar të suksesshme.
“MASHT tashmë ka dhënë rekomandimet për të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private) se të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja dhe simptoma të gripit (Temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkëqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut. Këto rekomandime janë treguar tejet efikase në ndërprerjen e përhapjes së gripit në shkolla.
Ndërkohë, SHSKUK ka ndërmarrë masa në redukimin e numrit të vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar, ka siguruar mjete mbrojtëse për profesionistët shëndetësore dhe ka dezinfektuar të gjitha hapësirat e institucioneve shëndetësore. Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon, Europë dhe botë.