Gazetar: Mihajllo Donev
Ministria e Shëndetësisë ia mori kompetencat Odës së stomatologjisë, pasi kontrollet kanë konstatuar vazhdim të paligjshëm të licencave, keqpërdorim financiar dhe parregullsi të tjera serioze në funksionimin e Odës në fjalë. Këtë e njoftoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, duke zbuluar se si në periudhën e kaluar Oda ka punuar duke anashkaluar normat ligjore.
“Inspektimet dhe dokumentet treguan mangësi serioze: edukim përmes shoqatave të paregjistruara dhe certifikatave që u përdorën në mënyrë të papërshtatshme për të vazhduar licencat, kontrata të lidhura në mënyrë retroaktive dhe në kundërshtim me ligjin, vendime dhe dokumente pa nënshkrime dhe me dokumentacion të pavlefshëm, duke injoruar masën e përkohshme dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për më shumë se një vit, edhe pse gjykata kishte vërtetuar se kushtet për zhvillim profesional janë në kundërshtim me ligjin”, tha Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë.
Lidhur me keqpërdorimet financiare, Aliu nuk dha detaje, por tha se policia financiare po e heton rastin kurse konfirmuan për Alsat se Oda është bastisur dhe se dokumentacioni i sekuestruar është duke u kontrolluar.
“Zyrtarët e autorizuar po punojnë në mënyrë aktive në analizimin e të dhënave dhe dokumentacionit të ofruar më parë nga Oda Stomatologjike e Maqedonisë, me qëllim përcaktimin e parregullsive dhe veprimeve inkriminuese të mundshme brenda kornizës së kompetencës së tyre. Duke marrë parasysh se të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurën para-hetimore konsiderohen sekrete, për raportet e pranuara dhe informacionet mbi veprimet e mundshme inkriminuese të kryera nga individë dhe persona juridikë, pas përfundimit të kontrolleve, Drejtoria e Policisë Financiare do të paraqesë shkresë përkatëse te prokurori publik përkatës”, thanë nga Drejtoria e policisë financiare.
Aliu shprehu shpresën se hetimi i policisë financiare së shpejti do të ketë zgjidhje dhe theksoi se Oda duhet të ketë sistem të besueshëm ligjor dhe transparent licencimi në të ardhmen./Alsat.mk



