Gazetar: Miki Trajkovski
Mërgimtarët që vijnë për festa në vendlindje, i pret mot i qëndrueshëm, pa paralajmërime për reshje. Edhe pse mbrëmë në aksin e Strazhës pati reshje të lehta bore, nuk ka vështirësi në rrugë. Transportuesit e autobusëve që qarkullojnë në relacionin nga Struga dhe Ohri drejt Shkupit thonë se arrijnë në kohë në destinacionin përfundimtar. Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” sigurojnë se janë të përgatitur për këtë dimër. Është blerë mjaftueshëm kripë dhe rërë, që të mos ketë probleme në pastrimin e rrugëve nga bora.
“Për momentin jemi në gatishmëri në të gjitha 37 pikat me të cilat disponon ndërmarrja ‘Rrugët e Maqedonisë’, me gjithsej 240 automjete, plotësisht të përgatitura për ndërhyrje të shpejtë. Janë siguruar sasi të mjaftueshme materiale abrazive, më saktë, kripë dhe rërë guri. Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rekomandimet për vozitje në kushte dimërore”, tha Aleksandar Shukoski – zëvendës drejtor i përgjithshëm i NP “Rrugët e Maqedonisë” .
Nga Lidhja Automoto thonë se komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pa pengesa.
“Intensiteti i komunikacionit në drejtimet jashtë qendrave urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare, nga ana e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti”, thonë nga Vizard –Lidhja Automobilistike e Maqedonisë .
Megjithatë, vozitësit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm në disa segmente rrugore në vend. Në unazën e Shkupit po kryhet rikonstruim në gjatësi prej 250 metra nga Vollkova deri në Kondovë. Në rrugën rajonale Kosovrast – Ura e Mellnicës, në drejtim të Dibrës, ka ndryshim të përkohshëm të regjimit të komunikacionit për shkak të aktiviteteve ndërtimore për shkak të rrëshqitjes së dheut, ndërsa në rrugën nga Gostivari drejt Strazhës, për shkak të riparimit të urës së Zdunjës, ka ndryshim të përkohshëm të regjimit të komunikacionit ./Alsat.mk



