Edhe në rast se Gjykata në Colmar të Francës vendos për ta ekstraduar Ramush Haradinajn në Beograd, para se kjo të ndodh do të duhet që edhe Ministria e Drejtësisë së Francës ta miratojë një vendim të tillë.
Kështu sqaron procedurat avokati i kreut të AAK-së në Kosovë, Arianit Koci. Megjithatë ai është i sigurt se çështja e ish-kryeministrit kosovar do të përfundojë më 2 mars, kur siç thotë ai gjykata franceze do të refuzojë ekstradimin e Haradinajt dhe do ta lirojë atë.
“Por, në rast që gjykata në Colmar, vendos që ta ekstradoj z. Haradinaj, atëherë duhet edhe miratimi i Ministrit të Drejtësisë që të vendoset për ekstradim”, ka thënë Koci.
Ai përsërit se kërkesa e Serbisë është politike, dhe riciklim i akuzave që janë trajtuar në Tribunalin e Hagës dhe thotë se Serbia, thjesht, po e keqpërdor të drejtën ndërkombëtare.
“Ndaj z. Haradinaj e kanë një inat të posaçëm. Nuk ja falin luftën për pavarësi dhe betejat e fituara kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ramushi është hero i gjallë, prandaj sulmi ndaj tij është sulm ndaj Kosovës”, tha tutje Ariani Koci.
Sipas tij Serbia është duke e shantazhuar edhe Francën për rastin Haradinaj.