Nga: Tamer Nafar, reper, aktor dhe shkrimtar palestinez që jeton në Lod të Izraelit
Përktheu: Agron Shala
Më 7 dhjetor, një re e errët u shpërnda në ekranin e kompjuterit tim: fotografia e fytyrës së një burri. Nuk do ta vëreja, po të mos më ngjante.
“Një raketë izraelite vret poetin dhe autorin palestinez Saleem Al-Naffar dhe anëtarët e familjes së tij në shtëpinë e tyre në Gazë”, lexova në Wikipedia-n në gjuhën arabe.
Më shtyri të kujtohesha: mendoj se e takova. Jam i sigurt që jemi të afërm!
Shtatëdhjetë e pesë vjet përpara 7 tetorit, familja Nafar jetonte në Jafa (Yafa, të cilin izraelitët tani e quajnë Jaffa). Nakba [katastrofa] dhe krijimi i shtetit të Izraelit na larguan me forcë, së bashku me 75 për qind të popullsisë palestineze. Familja jonë, si dhe dhjetëra-mijëra familje të tjera palestineze, u shkatërruan dhe u ndanë. Gjyshi im iku në Askalan (tani Ashkelon) dhe më pas në Lid (Lyd, tani Lod), që u bënë qytete në shtetin e ri; pjesa tjetër e familjes sime në kampet e refugjatëve në Ramallah, Liban, Gazë dhe në vendet e tjera.
Jam i sigurt që unë dhe Saleemi jemi të afërm, thash më vete. Duket si të gjithë xhaxhallarët e mi. Por, vdekja mund të jetë konfuze, veçanërisht kur të godet si raketë.
Njëzet vjet më parë, babai më thirri teksa po shkruante në MSN-Messenger. “Tamer, ky është i afërmi ynë nga Gaza. Është poet”, tha ai. “Saleem, ky është djali im i madh, Tameri. Është reper i njohur.”
Mbaj mend se mërzitesha meqë nuk ia ndiente se jam reper i rëndësishëm. Tek tash, kur kthehem prapa në kohë, e kuptoj se nuk ma ndiente që ishte poet. As që më interesonte të isha pjesë e bisedës mes dy të moshuarve të cilët ndanin kujtimet për rrënjët dhe prejardhjen time. Në vend të kësaj isha i zënë, si zakonisht, me shkrime ose incizime; thjesht i zënë, si reper i ri egoist që isha.
Sa herë që Gaza është sulmuar, kam menduar për të, por nuk e mbaja në mend emrin e tij të plotë. Papritur, duke lexuar për vdekjen e tij, u kujtova. Dhe, ai më ndihmoi. Për 20 vjet u përpoq dhe u shfaq drejt e në ekranin tim, vetëm për të ma kujtuar se si quhej: Saleem Al-Naffar, me shtesën e vogël pas – “RIP” [prehu në paqe]. Arsyeja pse nuk e gjeta më parë është për shkak të “Al-” para Nafar, që së bashku do të thotë “Nafari” [The Naffar]. E hoqa atë “Al” në mënyrë që njerëzit perëndimorë të mund ta shqiptonin – por, ata ende e gabojnë emrin tim.
Po të hasja te Saleemi, pyes veten se çfarë mesazhi do t’ia kisha shkruar. A do të kisha guxuar t’ia dërgoj një mesazh? Duke qenë qytetar palestinez i Izraelit, kam frikë se mund të arrestohem nga policia izraelite vetëm për kontaktet me kushëririn tim në Gazë. A do të më akuzonte Izraeli se jam i lidhur me terrorin? Duket se për Izraelin çdo palestinez në Gazë është i lidhur me terrorin. Nuk ka rëndësi që kushëriri im i ndjerë ishte poet që shkroi dhe botoi qindra poezi. Nëse Izraeli thotë se është terrorist, atëherë ai është terrorist.
Por, le të themi se ia dërgova një mesazh – ndoshta diçka si: “Më fal që jam budalla dhe nuk i kushtova vëmendje asaj bisede në MSN. Tani jam më ndryshe”. Ndoshta një fjali e thjeshtë, “Si je”? Ai ndoshta do të thoshte, “Zay al Zift [si mut]. Kam humbur vëllezërit dhe motrat e mia dhe nuk ka ushqim e ujë”. Nuk do ta kisha idenë si t’i përgjigjesha kësaj.
Nuk e di se çfarë është më tronditëse: fakti që Izraeli – me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara – mund të bombardojë dhe rrethojë dy milionë palestinezë për tre muaj, të vrasë mijëra civilë, të bllokojë hyrjen e ushqimit, ujit, energjisë elektrike, karburantit dhe ilaçeve dhe të ndërpresë telekomunikacion; ose që liderët e botës moderne – shumë prej të cilëve deklarojnë se mbështesin vlerat e të drejtave të njeriut dhe lirisë – vetëm po i shikojnë. Ose, fakti se e njëjta botë moderne nuk ka krijuar simbolet [emoji] përkatëse që t’i përgjigjem tekstit imagjinar nga Saleemi. Si do t’i përgjigjesha atij? Me një buzëqeshje me lot? Kjo mundet kur dikush të thotë se ka grip ose se nuk mundi t’i gjejë biletat për një koncert nga [këngëtari] Drake; por, jo kur e gjithë familja e dikujt është fshirë nga faqja e dheut.
Kështu, e humba rastin për të biseduar me të. Nëse do të kishim folur më parë, ndoshta do ta kishim pasuruar njëri-tjetrin me shijet tona më ndryshe për poezinë. Ndoshta do të m’i kishte dërguar disa poezi klasike për të më ndihmuar që të arrij në thellësitë e reja të punës time. Dhe, ndoshta do t’ia kisha dërguar atij një hip-hop për ta ndryshuar stilin e tij të përmbajtur. Nëse do të mund ta kontaktoja tash, do t’ia dërgoja albumin Distant Relatives [të afërmit e largët] nga Damien Marley dhe Nas, titulli i të cilit e shpjegon idenë se të gjithë zezakët ishin të afërm përpara skllavërisë, porse për shkak të diasporës afrikane u bënë të largët. Ashtu si ne, Saleem.
Shpresoj të jetë tash në Parajsë, bashkë me babin tim. Nuk ka kuptim që palestinezët të shkojnë dy herë në Ferr. Ose, të lëvizin nga njëri hiç te tjetri.
“Ju që e kërkoni mënyrën për shëlbim – nuk jeni të vetmuar”. Ky rresht është shkruar nga i afërmi im i largët i cili u vra në një sulm izraelit, bashku me gruan, dy vajzat dhe djalin e tij.