Gazetar: Ardit Ramadani
Pas ngritjes së akuzës në fund të vitit të kaluar, sot filloi gjykimi kundër biznesmenëve Cvetan Pandeleskit, Zoranço Mitrovskit dhe brokerit Jovanço Taskovski për lëndën “Perandoria”. Ata akuzohen për kryerje të disa veprave penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, larje parash dhe mashtrim. Prokurorja Lile Stefanovska kërkoi që të akuzuarve të ju konfiskohen pronat me vlerë të përgjithshme prej 4 milion e 700 mijë eurove. Sipas saj, dëshmitë janë të bollshme për të dëshmuar fajin te tre të akuzuarit.
“I dyshuari i parë dhe i dytë dhe tanimë një person i dënuar, në periudhën prej muajit maj deri në muajin gusht të vitit 2013-të si bashkëkryerës i kanë shfrytëzuar autorizimet si tre persona përgjegjës – anëtarë të Bordit të Drejtorëve të personit juridik dhe përfaqësues të kapitalit aksionar. Ata bashkë, pas marrëveshjes paraprake, me paramendim të ndihmuar nga një dëshmitar – bashkëpunëtor i drejtësisë dhe tanimë person i dënuar në këtë lëndë, kanë përfituar dobi pronësore të paligjshme në vlerë prej 4 milionë euro për tre persona juridik, në dëm të personit juridik të dëmtuar dhe 150 aksionarë më të vogël. Me qëllim që ta mbulojnë veprën, i dyshuari i parë dhe i dytë mjetet i kanë transferuar në një xhiro-llogari të personi tjetër juridik”, tha Lile Stefanova, prokurore.
Biznesmeni Zoranço Mitrevski, pronar I kompanisë “Ezimit” pranoi fajin për të gjitha veprat penale të cilat i ngarkohen në këtë lëndë. Nga ana tjetër, pronari i “Pelisterka”, Cvetan Pandeleski, para gjykatës tha se nuk ndjehet fajtor dhe se nuk e kupton fare akuzën.
“Akuzën nuk mundem ta kuptoj, nuk ndjehem fajtor. Marrë parasysh se as shumë avokatë dhe jurist nuk munden ta kuptojnë, mos prisni nga unë, si ekonomist, ta kuptoj. Atje shkruan për marrëveshje paraprake, për të cilat nuk është shënuar ngjarja, koha, vendi”, shtoi Cvetan Pandeleski, i akuzuar.
Brokeri Jovanço Tasovski nga ana tjetër kërkoi nga gjykatësja pauzë prej 10 minutave që të konsultohet me avokatin në qoftë se do ta pranojë fajin ose jo, por edhe pas pauzës, ai u kthye i pavendosur me çka kërkoi shtyrje të seancës gjyqësore, tha se edhe po ta pranojë fajin, nuk ka mjete financiare për të mbuluar harxhimet e procedurës gjyqësore, andaj, i nevojitet kohë.
Nga gjithsej 19 persona që ishin pjesë e procedurës para hetimore, vetëm këta 3 të dyshuar do të dalin para trupit gjykues. Për disa nga personat në procedurë parahetimore, mes tjerash ka pasur edhe aktgjykime bazuara në marrëveshje me prokurorinë, vjetërsim si dhe aktvendime për mos mbajtje të procedurës penale.
Në mesin e marrëveshjeve ishte edhe ajo e ish-shefit të policisë sekrete, Sasho Mijalkov, i cili pranoi fajin dhe u morr vesh me prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion me çka u dënua me 3 vite burg dhe u detyrua të paguajë 6,1 milion. Marrëveshje, gjithashtu kishte bë edhe biznesmeni Orce Kamçev i cili u dënua me burg prej 1 viti dhe obligim që të paguajë 5,2 milion euro përmes DAP-it./Alsat.mk