Përballja e Kosovës me të kthyerit nga Siria

Në veri të Sirisë kanë mbetur me mijëra ish-luftëtarë të IS nga vendet e huaja. Gati asnjë vend nuk do t’i pranojë ata. Kosova ka vepruar ndryshe: Ajo në prill ka pranuar 110 shtetas të vet.

Mensur Hoti ndez cigaret një pas një. Në një kafene në Prishtinë, drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Kosovë shpejgon se si është zhvilluar operacioni sekret, i natës mes 19 dhe 20 prillit. Hoti ishte përgjegjës për operacionin i fluturimit çarter në Prishtinë. Në bord – 110 shtetas të Kosovës të kthyer nga kalifati terrorist i Shtetit Islamik (IS), të cilët kanë jetuar kohët e fundit në kampet kurde në veri të Sirisë. Për operacionin e kthimit nuk kanë qenë të informuar madje as familjarët e personave të kthyer.

Kthimi natën nga Siria

Hoti thotë se për shkak të përgatitjeve intensive të operacionit me netë të tëra nuk ka fjetur. Kosova nuk ka raporte me kurdët dhe forcat kryengritëse demokratike të Sirisë (SDF), të cilat e kontrollojnë një pjesë të madhe në veri të Sirisë. SHBA ishte ajo, e cila ka mundësuar aksionin e kthimit. Amerikanët janë aleatë të kurdëve dhe në veri të Sirisë kanë trupat e tyre. Kjo ka mundësuar edhe organizimin e aksionit të kthimit.

Aeroporti i Prishtinës ka qenë i bllokuar në kohën e kthimit të 32 grave, 74 fëmijëve dhe katër burrave në këtë natë të prillit. Gratë dhe fëmijët janë transportuar me autobusë nga aeroporti drejt Prishtinës. Burrat janë dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Podujevë. Kontrollet dhe ndihmat e para mjekësore dhe psikologjike janë ofruar në kampin e Vranidollit. “Ata kanë qenë në një gjendje të keqe, në të gjitha aspektet”, njoffton Hoti. Ata kanë qenë të uritur dhe kanë jetuar në kushte, ku nuk ka masa të duhura higjienike.

Ky burrë i të 40-tave, me flokë të shkurtra, nuk ka kurfarë iluzioni. Hoti e di se pjesa më e vështirë e operacionit të kthimit është përpara shtetit më të ri në Evropë: “Paramendojeni vetëm ideologjinë me të cilën janë ushqyer ata. Rintegrimi i tyre do të jetë një proces shumë sfidues.”

Kalifati në kokë

Kjo shihet menjëherë në takimin ne Vlorën. Ajo është kthyer me këtë grup, para gjashtë muajve. Vlora nuk është emri i saj i vërtetë, por ajo ka frikë të flasë hapur (emri i vërtetë i njohur për Redaksinë!). Vlora sikur edhe të gjitha të rikthyerat e tjera vëzhgohet tërë kohën. Ajo është në burgun shtëpiak dhe mund të dalë vetëm në oborrin e familjes, në një fshat të vogël në brendësi të Kosovës. Vlora rri ulur nën hijen e arrës së madhe. Pulat dëgjohen nëpër oborr, macet shëtisin vërdallë. Pak më poshtë fusha me luledielli. Skenat duken idilike, por dritaret e thyera të shtëpisë së keqe dëshmojnë se familja jeton në një varfëri të skajshme.

Gratë e tjera të familjes janë të veshura me fustane me ngjyra të ndryshme. Vlora jo. Asaj i shihen vetëm sytë, përmes një prerje të vogël në nikab. Pjesa tjetër e kësaj gruaje 22 vjeçare është tërësisht e mbuluar me veshje të zeza. Gjatë gjithë kohës ajo, dukshëm e shqetësuar, shtrëngon duart.

Pesë vite të tëra ka jetur Vlora në kalifatin terrorist të Shtetit Islamik. Para të tjerëve ajo rri tërë kohën e mbuluar me nikab. Feja edhe më tej luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën e saj, thotë Vlora, përderisa fëmija vrapon nëpër oborr, me çizme tepër të mëdha.

Vlora dhe burrat e saj

Babai i fëmijës nuk do ta takojë më kurrë fëmijën e tij. Ai është vrarë në Siri. “Pak kohë para vrasjes kemi qenë bashkë. Unë kam shkuar te do shoqe, ndërsa ai ka dalë jashtë shtëpisë dhe është vrarë në rrugë.” Ai ishte vetëm njëri nga tre burrat e Vlorës. Në radhët e milicëve terroristë është vrarë edhe kosovari, me të cilin Vlora ka shkuar në radhët e IS në Siri, si 17-vjeçare. Asokohe Vlora dhe i dashuri i saj e kanë gënjyer babanë se po shkojnë për pushime në Turqi. Në fakt kanë shkuar në Siri. Burri i saj i tretë mbahet ende nga autoritetet kurde në një kamp në veri të Sirisë. Edhe ai është me origjinë nga Ballkani, por jo nga Kosova. Vlora nuk do të flasë për të.

Në kohën e kthimit në prill të këtij viti, fëmija i saj ishte shumë i dobtë me shëndet. Nuk mund të ngrihej fare në këmbë. Muajt e fundit të jetës së tyre në kampin Al Hol, në rajonet kurde në veri të Sirisë, kanë qenë për Vlorën dhe fëmijën tepër të rënda. Por edhe më e rëndë ka qenë koha e fazës përfundimtare të IS, në rajonin e xhihadistëve në fshatin Baghouz, në kufirin siriano-irakian. Vlora dhe fëmija i saj shpesh nuk kanë pasur për të ngrënë. Kohë pas kohe janë ushqyer me grurë, me pak misër nga fushat e afërta, ka pasur ndonjëherë pak oriz, e shpesh janë ushqyer edhe me bullgur edhe  – bar.

Mes pendimit dhe ideologjisë

Vlora ndërkohë e sheh shkuarjen e saj në radhët e IS në Siri si një gabim të madh. Por ajo nuk ka mirëkuptim për akuzat e autoriteteve kosovare dhe mbajtjen e saj nën masa arresti shtëpiak. “Unë kam qenë vetëm në shtëpi, nuk kam bërë asgjë”, justifikohet. “Nuk kemi pasur qëllim të keq, vetëm kemi shkuar pas burrave tanë.” Ky është një argument, të cilin gratë e pjesëtarëve të IS e përdorin shumë shpesh.

Vlora pohon se nuk ka parë vrasjet dhe tmerret e bëra nga pjesëtarët e IS. Thotë se ka parë vetëm shkatërrime të mëdha, si pasojë e luftës dhe granatimeve. Ajo e sheh veten si “viktimë” dhe shpreson se do të lirohet nga akuzat e autoriteteve të Kosovës për pjesëmarrje në një organizatë terorriste. Vlora thotë se do të donte të integrohej në shoqërinë kosovare, por me shpresë se “shoqëria do ta pranojë ashtu siç është – me nikab.”

Babai i Vlorës është ende tepër i dëshpëruar dhe shqetësuar me gjithçka që kanë ndodhur. Për kthimin e Vlorës ka marrë vesh pasi ajo ka zbritur në aeroportin e Kosovës. Më parë nuk ka ditur asgjë. Pas fjalëve të para për tmerret e përjetuara, prindi ngulfatet nga lotët. Shkuarjen e Vlorës në Siri e sheh si një “gabim skandaloz”. Vlora jeton plot gjashtë muaj në shtëpinë e tij, por ajo ende është nën përshtypjet e fuqishme të ideologjisë së përjetuar në Siri. “Ajo është ende tepër e mbyllur”, thotë babai për DW. Ai çdo ditë përpiqet ta bindë të bijën t’i hedhë tej veshjet me të zeza, të cilat nuk janë traditë e besimtarëve myslimanë në Kosovë. “Për mua është e çuditshme që Vlora falet kaq shumë gjatë ditës, e para shkuarjes nuk ka ditur as shahadet të bëjë.” Babai shpreson se Vlora një ditë do të dalë ndër shoqe, e veshur si të gjitha femrat tjera, pa mbulesë me nikab.

Trajtimi mendor

Valbona Tafilaj e njeh Vlorën dhe të gjitha të kthyerat e tjera nga Siria. Me ekipin e saj prej 20 psikiatërve dhe psikologëve, ajo shoqëron fëmijët dhe gratë e kthyera në rrugën e tyre për riintegrim në shoqërinë kosovare. Të gjithë kanë qenë të traumatizuar”, thotë psikologja. “Ata kanë ardhur nga rajonet e luftës, kanë parë dhe përjetuar krime të tmerrshme dhe bombardime.”

Detyra e saj parësore është që të fitojë mirëbesimin e të kthyerve. Një herë në muaj ajo e viziton secilën prej tyre në shtëpi. Punon edhe me anëtarët e familjes dhe fqinjtë, për të lehtësuar procesin e riintegrimit në shoqëri. Por trajtimet psikologjike dhe psikiatrike bëhen kryesisht në spital, për shkak të kushteve dhe ambientit, thotë Tafilaj.

Psikologja është krenare me punën e bërë me gratë dhe fëmijët. Ata të moshës gjashtë vjet e më shumë janë përgatitur edhe për fillimin e shkollës. Para dërgimit në shkollë janë bërë edhe teste për të shikuar pjekurinë dhe gatishmërinë e tyre për këtë fazë të jetës. Në pyetjen tonë nëse gratë e kthyera janë të rrezikshme për shoqërinë, Valbona Tafilaj nuk do të përgjigjet. Kjo është pjesë e obligimit të mjekut për heshtje.

Ndjekësi i terroristëve

A është Kosova e rrezikuar nga terroristët? Dhe nëse po, sa është e rrezikuar? Me këto çështje preokupohet çdo ditë Fatos Makolli, Koordinatori i Kosovës për luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Vendi i vogël ballkanik nuk ka as dy milionë banorë. Por Kosova është një prej vendeve prej nga mesatarisht kanë shkuar më së shumti luftëtarë në radhët e organizatës terroriste IS – mbi 400.

Sa për krahasim: Nga Gjermania, me mbi 82 milionë banorë, në radhët e IS kanë shkuar rreth 1050 xhihadistë.

Gjermania, Anglia apo Franca po vazhdojnë me refuzimin e kthimit të një numri të madh të shtetasve të tyre që kanë luftuar në radhët e IS në Siri dhe Irak. Vetëm për fëmijë ka ndonjëherë përjashtime. Në zyrën e tij në katin e tetë të godinës qeveritare, Fatos Makolli shpjegon pse vendi i tij i vogël ka nisur një rrugë tjetër. Nga tetori i vitit 2018 kur është parë qartë se kalifatit të vetëshpallur po i vjen fundi, jemi marrë në mënyrë intensive me problemin e rikthimit të shtetasve tanë që kanë luftuar në radhët e IS. Në Prishtinë është menduar se ish-xhihadistët nuk do të mbahen përjetësisht në kampet e kurdëve dhe se ata mund të kthehen dhe të fshihen në Kosovë.

“Ndaj kemi vendosur që t’i kthejmë, t’i kemi nën kontroll”, pohon Makolli. “Ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun. Por në këtë mënyrë mund t’i kontrollojmë ata. Ne i njohim këta njerëz dhe ata që kanë bërë krime do të nxirren para drejtësisë. Ne po bëjmë më të mirën e mundshme për riintegrimin e tyre.” Kosova ka përvoja me të kthyerit nga IS, sepse prej vitit 2014 janë kthyer dhe arrestuar në këtë vend rreth 150 ish-luftëtarë të IS. Mbi 80 prej tyre janë denuar pjesërisht me dënime të rënda.

Faktori arab

Rreth 95 % e kosovarëve i përkasin fesë islame. Tradicionalisht ata praktikojnë një islam liberal, por shumë prej tyre janë sekularë. Pas luftës së Kosovës në vitin 1999 është shtuar në Kosovë influenca e disa vendeve konservatore. Makolli thotë se përgjegjësinë më të madhe për këtë e mbajnë vende si Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit. Ka ekzistuar një qëllim shumë i qartë i “ringjalljes së fesë islame në Kosovë” dhe për “politizimin e kësaj feje përmes disa imamëve”. Organizatat arabe të ndihmave kanë punuar shumë në veçanti me fëmijë dhe të rinj, thotë ai.

Nga mesi i vitit 2000 është paraqitur edhe ideologjia e vahabistëve dhe salafistëve. “Papritur janë paraqitur probleme edhe brenda familjeve. Ka pasur fëmijë dhe të rinj që nuk donin të flisnin me femra dhe refuzonin të merrnin pjesë në festat familjare. Ata kritikonin prindërit, me fjalët se nuk janë myslimanë të vërtetë. ”

Papunësia e lartë, mungesa e perspektivës dhe korrupsioni i përhapur kur të rinjtë nuk shohin perspektivë janë ndër problemet më të mëdha të Kosovës, që kanë ndikuar edhe në radikalizimin e njerëzve në këtë vend.

Kosova si shembull

Mensur Hoti shpjegon se jo të gjithë kosovarët janë të kënaqur me kthimin e ish-luftëtarëve të IS. “Por kjo ishte rruga e vetme për t’u përballur me këto probleme. Kushtetuta jonë parashikon që ne duhet të kujdesemi për qytetarët tanë – pavarësisht se ku gjenden ata.”

Gjermania është pozicionuar ndryshe. Ministria e Jashtme në Berlin thotë se ata nuk kanë raporte diplomatike me regjimin e Assadit apo kurdët në veri të Sirisë. Ndaj shtetasit gjermanë nuk mund të rikthehen. Ky nuk ka qenë problem për Kosovën, thotë Hoti në bisedë me DW. Kur ekziston vullneti politik, atëherë mund të zgjidhen edhe problemet logjistike.

Të këtij mendimi janë edhe Shtetet e Bashkuara, sepse pa ndihmën e SHBA ky aksion vështirë se do të mund të realizohej. Qeveria amerikane e presidentit Donald Trump insiston, që vendet evropiane të marrin shtetasit e tyre, për të lehtësuar përgjegjësinë e kurdëve. Në mesazhin e qeverisë amerikane në Prishtinë, pas aksionit sekret të 20 prillit, thuhet: “Kosova me këtë aksion ka dhënë një shembull shumë të rëndësishëm që duhet të ndjekin edhe shtetet e tjera anëtare të kolicionit të luftës kundër terrorizmit.”/DW

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme