Analizë e Sakte.net
Mediat paralajmërojnë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të caktuara për me 11 dhjetor të këtij viti, BDI – ja do garojë me kandidat të rinj. Dhe shtojnë se do përdoret e njëjta strategji si edhe gjatë ndërrimit të ministrave të “përjetshëm’ me emra të rinj, por të cilët mbetën të kontrolluar nga “ajatollahët” leninistë që e drejtojnë këtë parti. Pa marrë parasysh se sa ka të vërtetë në këto spekulime mediatike, mbetet e vërteta se përballë orvatjes së BDI – së që të kaluarën e saj tani më të shpallur si simbol i së keqes së shqiptarëve të Maqedonisë, mbeten partitë opozitare që duhet ta shfrytëzojnë kërkesën e popullit për ndryshime rrënjësore të politikave shqiptare. Dhe ajo që duhet ta shfrytëzojnë partitë opozitare shqiptare është e vërteta se dekadën e fundit shqiptarët e këtushëm ndjehen plotësisht të papërfaqësuar.
Sipas vlerësimeve të shumë opinionistëve, shqiptarët e Maqedonisë prej moti BDI- në e perceptojnë si degë shqiptare të VMRO-DPMNE’së, andaj edhe nuk mungojnë as vlerësimet se të votosh për BDI- në është e njëjtë sikur të kesh votuar për partinë më antishqiptare maqedonase, për VMRO-DPMNE’në. Kur bëhet fjalë për betejën politike mes BDI- së dhe partive opozitare, dihet se Lëvizja Besa është ajo që seriozisht mund ta rrezikojë partinë për të cilën shumëkush ka pohuar se shqiptarëve ua morri të gjitha, për mos tu dhënë asgjë. Në ndërkohë edhe zyrtarët e Lëvizjes Besa pohojnë se janë të vetëdijshëm se sytë e atyre që e luftojnë të keqen e quajtur BDI, janë të kthyer nga ata dhe se shqiptarët e Maqedonisë ndryshimin e presin nga kjo Lëvizje. Njësoj siç e dine se përballë vetes kanë një kundërshtar politik që bashkon tri gjëra që e bëjnë “armik” te forte politik: se atë e drejtojnë njerëz të korruptuar e të kriminalizuar për të cilët këto zgjedhje kanë kuptimin e “o në burg o në pushtet” dhe se kjo parti ka shumë para dhe pushtet.
Thonë se kur ke përballë të keqin e pasur e të pushtetshëm, kjo është njësoj sikur të jesh përballur me qoftëlargun me vetë djallin. Dhe nuk ka dyshim se këtë e dinë paritë opozitare shqiptarë në Maqedonisë dhe, në situatë kur nuk kanë as kamxhikun që ka BDI- ja për t’i dënuar shqiptarët, e as karotën, që gjithashtu e ka BDI- ja për t’i shpërblyer të dëgjueshmit e saj, partive opozitare shqiptarë në Maqedoni u mbetet që popullit t’ia ringjallin shpresën se ata munden ta rikthejnë më të vlefshmen: dinjitetin që ua nëpërkëmbi BDIja./Sakte.net