Përdh*nimi i të miturës nga babai monstër, reagon ashpër Avokati i Popullit: Ngjarje të tilla kërkojnë jo vetëm dënimin e autorëve, kemi nisur një hetim administrativ gjithëpërfshirës

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të abuzimit seksual ndaj një 12-vjeçareje në Fier, e cila dyshohet se është abuzuar prej vitesh nga babai i saj, Zamir Meta.


Përmes një deklarate zyrtare të publikuar në rrjetet sociale, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e thellë për rastin, duke e konsideruar atë një tragjedi që kërkon jo vetëm ndëshkimin e autorëve, por edhe reflektim të thellë institucional dhe shoqëror.

“Ngjarje të tilla kërkojnë forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve, sidomos për ata që jetojnë në kushte të vështira sociale apo familjare,” thuhet në reagim.

Avokati i Popullit bën me dije se ka nisur me iniciativë shqyrtimin e këtij rasti përmes një hetimi administrativ gjithëpërfshirës, ku gjithashtu ka bërë thirrje për respektimin e privatësisë dhe dinjitetit të vajzës së mitur, duke dënuar publikimin masiv të detajeve të ngjarjes në media apo rrjete sociale. “Ky ekspozim përbën një dëm të dyfishtë për të miturën dhe cenon rëndë të drejtën e saj për mbrojtje nga traumat e mëtejshme,” thuhet në deklaratë.

Institucioni, ndër të tjera thekson se do të ndjekë me vëmendje dhe seriozitet hetimet në vijim dhe do të bashkëpunojë ngushtësisht me autoritetet përkatëse për të garantuar mbrojtjen e mëtejshme të të miturës.

Reagimi i plotë:

Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen e rëndë të abuzimit seksual ndaj një vajze të mitur në qytetin e Fierit.
Ngjarje të tilla kërkojnë jo vetëm dënimin e autorëve, por edhe një reflektim të thellë institucional dhe shoqëror për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve, veçanërisht të atyre që ndodhen në situata të vështira sociale apo familjare.

Avokati i Popullit ka marrë me iniciativë shqyrtimin e këtij rasti dhe ka nisur një hetim administrativ gjithëpërfshirës, i mbështetur në parimet e legjislacionit shqiptar dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, me qëllim evidentimin e veprimeve apo mosveprimeve nga institucionet përgjegjëse që mund të kenë ndikuar në zhvillimin ose mosparandalimin e kësaj ngjarjeje. Ky proces do të synojë të analizojë funksionimin e zinxhirit institucional të mbrojtjes së fëmijëve dhe të adresojë çdo mangësi sistemike.

Avokati i Popullit apelon me forcë për ruajtjen e privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës viktimë. Ekspozimi masiv i detajeve të ngjarjes, qoftë në media apo rrjete sociale, është një dëm i dyfishtë për të miturën dhe cenon rëndë të drejtën e saj për mbrojtje nga traumat e mëtejshme.

Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndjekë me vëmendje e seriozitet ecurinë e hetimeve dhe masat që do të ndërmerren për mbrojtjen e mëtejshme të të miturës, duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse në çdo hap të këtij procesi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme